Apolonia ishte shumë pranë barazimit me Kukësin, por ai gol i ardhur në frymën e fundit të takimit ndryshoi gjithçka. Megjithatë trajneri i fierakëve pranon objektiv për ta është kampionati dhe mbërritja në Superiore, ndërsa përballjen e sotme e sheh më tepër si një promovim për lojtarët e rinj që ka në përberje. Apolonia ka investuar shumë te moshat dhe pjesa dërrmuese e ekipit është produkt i akademisë. Në një prononcim për “Supersport“ Mërgjyshi shprehet se në ndeshjen e radhës të derbit me Lushnjen rrethanat do të ndryshojnë
“Është për të ardhur keq, pasi e kishim vlerësuar maksimalisht këtë ndeshje, pavarësisht se objektiv kemi kampionatin. Donim të bënim një ndeshje të mirë, për të promovuar lojtarët, pasi ishte një sfidë për reklamë. Ishte ndeshje agresive dhe Kukësi ishte superior në letër, por ne provuam shanset tona. Në pjesën e dytë kemi bërë mirë dhe kishim mundësi për të kaluar ne në avantazh. Goli na motivon për ndeshjet e radhës.
Ndeshja ndaj Lushnjës do të jetë ndeshje tjetër, do të ndryshojnë rrethanat. Me Lushnjën duhet vetëm të fitojmë. Ata kanë lojtarë me shumë eksperiencë, ndërsa ne kemi më shumë dinamizëm, energji dhe ego. Duhet ta shfrytëzojmë për të marrë maksimumin, pasi nuk kemi rrugë tjetër.
Këtu bëhet një punë e mirë. 70 % e ekipit kanë qenë pjesë e akademisë, Sota, Mihana, Gjata, etj. Bëhet një punë e mirë. Janë lojtarë premtues që unë besoj shumë se dhe në Superiore nuk kanë ndonjë diferencë. Skuadra shprehet mirë, ka besim, dëshirë, grintë dhe luan si e barabartë
Gjëja e mirë këtu është që lojtarët janë më kontrata afatgjate. Nuk largohet asnjë lojtarë, përveç atyre që mund të shiten. Sot kishim edhe 2 mungesa kryesore. U plotësuam me lojtarë të U-19. Në qoftë se do të arrijmë në Superiore do të ndërhyjmë dhe do të forcojmë skuadrën. Kemi nevojë për lojtarë me eksperiencë. Si sot na ka ndodhur edhe në ndeshje të tjera. Duhen lojtarë me eksperiencë”, është shprehur Mërgjyshi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/