Besëlidhja nuk arriti dot të përsëriste surprizën si ndaj Partizanit. Tirana është një makineri që shtyp këdo i del para nën drejtimin e Egbo dhe këtë tashmë e dinë mjaft mirë lezhjanët. Gjithçka nisi mjaft mirë për ekipin e udhëhequr nga Plori, teksa gjetën golin në minutën e 11 dhe ndezën shpresat te vetja, por në vërshëllimën përfundimtare shifrat do të flisnin për bardheblutë që fituan 5-1.
Në një prononcim për “Gol pas goli” në “Super sport”, trajneri i Besëlidhjes ka shprehur dyshime për penalltinë e akorduar në favor të Tiranës, ndërsa thekson se objektivi i tyre i vetëm ëshët Kategoria e Parë, nga ku synojnë kalimin në elitë.
“Mendoj se e nisëm mirë ndeshjen dhe kaluam të parët në avantazh, por më pas erdhi ajo penallti, për të cilën kam pretendimet e mia dhe ndikoi jo pak në ecurinë e lojës. Ne jemi një skuadër e vogël, që vijmë nga një kategori më poshtë dhe episode të tilla ndikojnë.
Rënia në pjesë ne dytë? Për ta thënë edhe pak me humor, lojtarët e Besëlidhjes e kanë respektuar në maksimum karantinën dhe kjo u pa sot në fushë, pasi ramë fizikisht në pjesën e dytë. Gjithsesi objektivi ynë është kampionati dhe sot e pamë më shumë si një mundësi për të marrë më shumë minuta dhe për të qenë gati për ndeshjet e ardhshme në Kategorinë e Parë”, ka deklaruar Plori./Sport Ekspres/