Arjan Peço nuk është më trajneri i Bazelit U-21, ndërsa është larguar nga kjo detyrë. Ekipi zvicerian ka bërë një rrotacion pas disa kohësh për të ndërruar trajnerët e moshave. Pra ai që ka drejtuar U-15 e Bazelit të marrë U-17, ky i fundit duhet të marrë U-21 e për të vazhduar në këtë lloj zinxhiri.
Kështu Arjan Peços i është afruar drejtimi i ekipit të U-18 së Bazelit, por trajneri shqiptar ka refuzuar kategorikisht. Arsyeja? Bëhet fjalë për dy të tilla, por më kryesorja është se një ofertë e tillë është marrë si ulje në vlerësim. I ftuar në emisionin “Procesi Sportiv”, Peço u shpreh:
“Po është e vërtetë që u largova nga Bazeli. Ata po bënin lëvizje tek trajnerët dhe më ofruan U-18. Nuk e mendova dy herë dhe refuzova ofertën. Ishte çështje krenarie dhe vlerësimi për punën time që nuk e kam pranuar. Pra nuk mund të shkoja te U-18. Por ka edhe një arsye tjetër, që po të shkoja atje atëherë do quhesha si trajner moshash përgjithmonë, por unë jam më shumë se aq dhe dua të ngrihem tani, për të stërvitur ekipe të para dhe profesioniste”, tha Peço. /Sport Ekspres/