Skënderbeu është duke bërë një mrekulli në këtë sezon me Ilir Dajën. Pavarësisht faktit se mbetet ende i dënuar në Europë, korçarët kanë marrë fitoren e gjashtë radhazi dhe janë të pandalashëm. Fitorja e fundit ishte ajo ndaj Flamurtarit falë golit të Gripshit, ku nga ana tjetër rrëzuan automatikisht edhe vlonjatët në Kategorinë e Parë, ndërsa deri në atë moment i mbante vetëm matematika në lojë. Në një prononcim për “Sport Ekspres”, Eni Imami ka folur për këtë ecuri fantastike të Skënderbeut, që ndodhet në vendin e tretë dhe vetëm tre pikë larg Kukësit.
“Të them të drejtë duke marrë parasysh lojtarët që kishim në skuadër, trajnerin dhe stafin e tij, jam shprehur që në fillim, në intervistat e para, se me këtë skuadër do të kapim tre vendet e para. Uroj që të vazhdojmë me këtë ecuri deri në fund. Kemi një ndërthurje në ekip të djemëve të rinjë me dëshirë dhe lojtarëve më eksperiencë. Besoj se jemi shkrirë si duhet me njëri-tjetrin dhe kjo është arsyeja se përse vazhdojmë në këtë ritëm”.
Ndërkohë Imami ka komentuar shkurtimisht edhe gjendjen e ekipeve të tjera në Superiore, ku nuk mund të mungonte edhe keqardhja për rënien e Flamurtarit. “Më vjen keq për Flamurtarin që ra matematikisht dje në Kategorinë e Parë. Uroj që të kthehen sa më shpejtë në Superiore. Ka rënë një qytet dhe një ambient fantastic ku luhet futbolli i vërtet. Ndërsa për Partizanin, nuk besoj se rrezikon rënien se janë edhe 8 javë në kampionat”, tha Imami. /Klaudio Ndreca,Sport Ekspres/