Thomas Strakosha vazhdon të mbetet lojtari kyç i skuadrës së Lazios pavarësisht ulje-ngritjeve në performancat e tij. Ekipi i kryeqytetit beson tek aftësitë e portierit duke i ofruar pozicionin e titullarit të padiskutueshëm. Shtatlarti shqiptar dëshiron të përfitojë nga momenti i mirë që po kalon për të rinovuar kontratën me kryesinë e klubit, duke dyfishuar rrogën aktuale.
Sipas të përditshmes “IL MESSAGERO!”, Strakosha po kërkon jo vetëm rinovim të kontratës por edhe një përmirësim të saj, pasi klubi ka menduar për të rivlerësuar lojtarët që ka në bazë të performancave të tyre. Në këtë gazetë është shkruar se rroga e lojtarit do të shkojë nga më pak se 1 millionë euro në afërsisht 2 milionë.
Bisedimet janë duke vazhduar me ekipin e Lazios dhe duke qenë se në kryesi ndodhet dhe Igli Tare, të dyja palët mund të merren vesh më shpejt me njëra tjetrën. Këtë vit Strakosha ka mundësinë për të hyrë në histori, nëse ekipi i tij do të fitojë titullin kampion, pasi do të bëhet shqiptari i parë që triumfon në Seria-A. /Sport Ekspres/