Sulejman Starova mendon se dy trajnerët italianë që janë sjellë te Partizani gjatë këtij sezoni, Lerda dhe Sormani, kanë aftësi shumë të mira në drejtim. Por ajo që mungon në këtë rast është koha e pakët për t’u përshtatur me skuadrën dhe klubi që kërkon menjëherë rezultatet prej tyre. I ftuar në emisionin “Pressing”, Starova ka pasur edhe ndërhyrjen e gazetarit Lirim Zalla, që kërkon më shumë kohë për të folur rreth Skënderbeut të këtij sezoni.
Sulejman Starova: “Lerda dhe Sormani janë trajnerë të mirë, por të marrin më qafë. Ua shpjegoj unë tani që përse ndodh kjo. Një trajner është e mira që t’i lësh një vit kohë se bëhen më mirë llogaritë ashtu në fundin e sezonit. Ndryshe është t’i bësh llogaritë me dy trajnerë, e tre apo katër”.
Lirim Zalla: “Po si janë të mirë dhe të marrin më qafë?”.
Sulejman Starova: “Ki durim se ta them unë. Duan kohë se janë trajnerë të huaj dhe duhet që të njohin ambientin. Lerda gaboi me Trashin dhe Asanin që pati përplasje. Konflikti filloi që në Kupat e Europës. E rikuperoi menjëherë gabimin me Trashin, po vazhdoi me Asanin”.
Lirim Zalla: “Le të flasim pak për një ekip institucion si Skënderbeu. Se Skënderbeu është ekip institucion në Shqipëri, jemi duke folur gjatë për një Partizan që në Kupë është eliminuar nga Besëlidhja”.
Sulejman Starova: “Mos ofendo në atë mënyrë dhe lëre institucionin. Po flasim për Partizanin dhe arsyen se përse ka rënë në rezultate”. /Sport Ekspres/