Nga Klaudio Ndreca
Sormani ka ngatërruar ekip, kampionët e Superiores nuk mjaftohen me…pjesëmarrje të bukur
Partizani vazhdon me rezultatet e dobëta kur në krye është Sormani. Fatura që i përket trajnerit italian është e lartë në shifra, megjithëse nuk dihet nëse do të detyrohet ta mbyllë ai llogarinë në fundin e tavolinës, pra kur të mbyllet Superiorja apo do të falet nga ana e presidentit Demi. Nga eliminimi në Kupë në mënyrë surprizuese pas disfatës me Besëlidhjen te humbjet radhazi në kampionat. Situata është e tillë ku Lerda u largua si e keqja më e madhe teksa Partizani ishte në vallen e titullit, ndërsa tani e sheh veten 3 pikë larg vendit të “Play-Off”, atje ku gjendet Bylisi. Menjëherë pas mbylljes së ndeshjes, Sormani nuk kishte këtë herë arsyetime mbi arbitrat, por është kënaqur me paraqitjen pozitive të lojtarëve. Por jemi duke folur për ekipin kampion në fuqi të Shqipërisë dhe atje nuk mjafton pjesëmarrja e bukur. Kjo ishte edhe arsyeja se përse Lerda mori valixhet drejt Italisë më herët nga planifikimi për prerjen e biletës. Presioni për të arritur objektivin dhe gabimet që nuk falen në një ekip kampion, kërkojnë përgjegjshmëri mbi dështimet dhe kthimin e rezultateve pozitive, ku në drejtimin aktual është e vështirë që t’i gjesh dy ndeshje bashkë të fituara. A mjafton të jemi të bukur? Ndoshta, por jo në ekipin kampion…
Vendimi i gjyqit do ende kohë, por Skënderbeu “dënon” Partizanin duke i larguar Europën!
Sa keq mund të jetë nëse nuk ke mundësinë për të marrë pjesë në Europë? Për të gjitha ekipet kjo situatë mund të sillte falimentimin e menjëhershëm, por jo te Skënderbeu. Si një Tiranë e dytë! Kështu e kemi pagëzuar ekipin e Dajës, që po vazhdon rrugën e suksesit ashtu si edhe magjia e Egbos në drejtimin e bardhebluve. Madje e vetmja ndalje e këtyre të fundit, ka qenë pikërisht barazimi që i ka marrë Skënderbeu në transfertë. Kjo e tregon saktësisht ecurinë fantastike të dy ekipeve në fjalë, por korçarët meritojnë më tepër vëmendje. Nuk mund të anashkalohet fakti që Skënderbeu është për momentin i dënuar dhe nuk mund të marrë pjesë në kompeticionet europiane. Shumëkush e quajti “të mbaruar”, me lojtarët që nuk do të kishin më motiv as për të ecur në fushën e lojës. Por nga e thëna në të bërë, ka vërtet një distancë të madhe. Tani ekipi i Dajës është në vendin e tretë dhe vetëm tre pikë larg Kukësit, duke u kujtuar deri tani si surpriza më e bukur e Superiores. Ende në pritje të vendimit të gjyqit, për ta kërkuar atje fatin dhe duke kryqëzuar gishtat se do të rimarrin pjesë në garat europiane, por për momentin Skënderbeu ia largon Europën me fitoren e fundit të marrë në kryeqytet, Partizanit! Këta të fundit janë goditur edhe më tepër psikologjikisht, ku me ndeshjen e radhës që do të kenë me Kukësin, do të rëndohen edhe më tepër pozitat për objektivin e vetëm.
“Kërcen prifti nga belaja!” Shehi e kupton “vallen” që po udhëheq, këmbët nuk mbajnë për shumë gjatë
“Si qendron Orges Shehi te Kukësi për sezonin tjetër? E di vetë ai, e di shumë mirë kontratën”. Është kjo mënyra sesi Safet Gjici e ka përsëritur dhe stërpërsëritur, në mënyrë direkte dhe indirekte, se Shehi qendron si trajner i Kukësit vetëm nëse fiton Superioren në këtë sezon. Pra duke marrë shansin më të vogël dhe suksesin që në rast se do të ndodhte do të ishte një mrekulli, për ta kthyer si në një objektiv normal ku nëse nuk plotësohet, atëherë do të ketë dënime. Orges Shehi e ka kuptuar më së miri se kjo është një valle që po udhëhiqet dhe nuk do të shkojë për shumë gjatë. “Të fitojmë 10 finale”! Ishte ky slogani i hapur para rinisjes së garës për shkakun e Koronavirusit, që menjëherë pati dallgën e parë që i bëri verilindorët të kuptojnë sesa e vështirë është për t’u kaluar në anën tjetër. Kukësi ndodhet 9 pikë larg një ekipi si Tirana, që nuk njeh asnjë fjalë tjetër veçse fitores. Në përballjen e tyre ndaj Luftëtarit, një ekipi që konsiderohet i rënë në Kategorinë e Parë, fati i buzëqeshi për të marrë një fitore të vuajtur. Thuajse në gjuajtjen e fundit drejt portës, ku Kristal Abazaj pasi kishte shpërdoruar disa raste flagrante, bën çudinë për ta nxjerrë një gol nga repertori i tij, atëherë kur pakkush e priste dhe besimi ishte shuar. Shehi fërkon menjëherë ballin për të larguar djersët e ftohta, ndërsa ishte duke u përgatitur në ato momente për të dalë në media dhe për të dhënë llogari për një dështim të misionit. 11 pikë larg distance dhe një gabim ndaj Luftëtarit, do të ishte një mbyllje e parakohshme e kampionatit. Por Shehi surprizoi disi me fjalët e thëna në fundin e takimit, duke u shprehur i kënaqur me gjithë ekipin si të kishin bërë një ndeshje të përsosur, por me vetëm një kritikë, të finalizojnë sa më mirë aksionet. Pra “kërcen prifti nga belaja”, ndoshta është kjo shprehja më e mirë popullore për t’u përdorur. Edhe kur ngjyra e zezë duket qartë, duhet të shihet si e bardhë, pasi është kjo alternativa e vetme që jepet. Krejtësisht i pafajshëm në këtë mes, por fiksimi i vjetër i Gjicit me titulin kampion i sjellë edhe këto situata.
Vllaznia kërkon vetëm një shpëtimtar, fiton edhe mes 1001 halleve që e kanë zënë!
Fitorja me shifrat 1-3 e Vllaznisë ishte një tjetër rezultat jo i pritshëm që na erdhi nga java e 27 e Kategorisë Superiore. Flamurtari i Troisit ka qenë dinjitoze në shumë takime dhe pritej që të ndalte shkodranët. Këta të fundit kishin 1001 probleme, ku kryesorja ishin debatet e shpërthyera me rrogat e pamarra nga Bashkia. Për të vazhduar me bojkotin që i shumëfishoi pushimet e Vllaznisë dhe mungesën në stërvitje, ndryshe nga ekipet e tjera. Por pavarësisht të gjithave, kanë shkuar në Vlorë për të marrë një fitore të pastër në shifrat 1-3. Qartësisht është ky një mesazh që lojtarët ia japin atyre që e menaxhojnë ekipin se është momenti për t’ia dhënë klubit një shpëtimtar, që të jetë vetëm i Vllaznisë dhe të rikthehen kohët e vjetëra. Kështu, nuk vazhdohet gjatë! /Sport Ekspres/