FSHF ka reaguar për rastin e parë pozitiv në futbollin shqiptar, atje ku Eridon Qardaku ka dalë i infektuar me Koronavirus. Nëpërmjet një njoftim për shtyp, theksohet se Federata ka pasur menjëherë kontakte të drejtpërdrejta me drejtuesit e Bylisit për të parë më nga afër situatën. Teksa testet i janë bërë edhe pjesëtarëve të tjerë të ekipit, u konfirmua se askush prej tyre nuk ishte mbartës i virusit. Gjithashtu FSHF theksohet se Qardaku gëzon shëndet të plotë dhe nuk ka simptoma të kësaj pandemie. /Sport Ekspres/
Njoftim i plotë
Federata Shqiptare e Futbollit bën me dije se është njohur me rastin e një futbollisti të KF Bylis, i cili pas testeve mjekësore rezultoi pozitiv me COVID 19.
Menjëherë, Federata ka marrë kontakt me drejtuesit e klubit mallakastriot dhe është informuar për situatën e krijuar.
FSHF njofton se janë ndjekur të gjitha protokollet shëndetësore dhe se të gjithë futbollistët dhe stafi i KF Bylis i janë nënshtruar testeve mjekësore për të verifikuar nëse ka pasur përhapje të infeksionit.
Aktualisht, futbollisti i infektuar me COVID 19 është karantinuar sipas rregullave dhe është në gjendje të mirë shëndetësore.
Gjithashtu, pas testeve ka rezultuar se asnjë pjesëtar tjetër i KF Bylis nuk është prekur nga virusi dhe të gjithë gëzojnë shëndet të plotë.
Sektori i Marëdhënieve me Publikun, FSHF