Pritja do të marrë fudn dhe klubet e Superiores do t’i rikthehen sërish tapetit të gjelbër. Fatet e sezonit do të vendosen në fushë dhe të gjitha skuadrat janë gati ta nisin prej aty ku e lanë afro 3 muaj më parë. Futbolli do të rikthehet por me masa të reja, ku spikat mungesa e tifozëve, ndërsa një protokoll i hartuar nga FSHF u është shpërndarë klubeve për të parandaluar përhajen e pandemisë Covid-19.
Edhe vetë presidenti Armand Duka a gjetur rastin për t’u uruar aktorëve të futbollit shqiptar rinisjen e aktivitetit fubollistik. Gjithashtu u kujton këtyre të fundit rregullat e reja që duhen batuar me përpikmëri, ndërsa thekson edhe dëshirën e madhe që situate të përmirësohet edhe më tej dhe në fund të kemi një lirim të mëtejshëm të rregullave./Halit Delibashi-Sport Ekspres/
Fjalimi i plotë e Armand Dukës:
Të dashur futbollistë, tifozë dhe miq të futbollit!
Pas një periudhe të vështirë për të gjithë vendin, por edhe gjithë botën, për shkak të pandemisë Covid-19 më në fund futbolli rikthehet sot me rifillimin e kampionatit.
Kjo ndërprerje e menjëhershme e jetës sportive na ka dëmtuar, edhe ekonomikisht, por sigurisht dëmi më i madh ka qenë ai sportiv. Futbollistët e të gjitha niveleve, profesionistë, amatorë, fëmijët, nuk e kanë shumë të lehtë që të kapin të njëjtën formë sportive. Ndërprerja patjetër që ka lënë shenjën e saj dhe unë uroj ta kalojmë sa më parë, edhe pse jam i ndërgjegjshëm se nuk do të jetë e lehtë.
Edhe një herë përfitoj nga rasti t’u kujtoj të gjithë futbollistëve, zyrtarëve të klubeve dhe stafeve organizative që të jenë sa më të kujdesshëm e të zbatojnë rregullat e distancimit social dhe protokollet shëndetësore në lidhje me zhvillimin e ndeshjeve në këto kushte. Protokolle me të cilat të gjithë aktorët dhe faktorët janë njohur tashmë.
Unë jam i bindur, që ju dhe stafet tuaja, do të tregoheni të kujdesshëm në këtë drejtim, në mënyrë që gjithçka të shkojë sa më mirë.
Ndihem i keqardhur që ne nuk do të kemi mbështetjen e spektatorëve nëpër stadiume. Uroj që shumë shpejt masat kufizuese të lehtësohen dhe tifozët të kthehen në stadiume për të mbështetur skuadrat e tyre të zemrës.
Uroj nga zemra që kampionati të vazhdojë të na dhurojë sërish emocione, lojë të bukur dhe Fair-play.
Edhe një herë, urimet e mia më të mira për rifillimin e kampionatit!
Suksese të gjithëve!
Armand Duka
President
Federata Shqiptare e Futbollit