Sot është një nga mbrojtësit më të mirë të botës dhe shkoi pranë fitimit të Topit të Artë, por 8 vite më parë Virgil Van Dijk rrezikonte jetën e tij. Vetëm 20 vjeç atëherë, lojtari holandez zbuloi se vuante prej tre sëmundjesh që mund të rezultonin në fatalitet. Ai iu nënshtrua një operacioni urgjent dhe në atë moment në kokën e tij vërtiteshin edhe skenarët më negativë. Madje zbulon se ka shkruar edhe një testament, ku pasurinë e tij ia linte nënës. Van Dijk rikujton edhe njëherë atë periudhë të vështrë në jetën e tij, që tashmë i përket së shkuarës, pasi gëzon shëndet të plotë dhe po përjeton suksese të mëdha në karrierën e tij.
“Më kujtohet ende kur qendroja i shtrirë në shtrat. E vetmja gjë që mund të shihja ishin tubat që dilnin prej meje. Trupi im ishte i këputur dhe nuk mund të bëja dot asgjë. Në një moment të tillë skenarët më të këqinj vërtiteshin në mendjen time. Jeta ime ishte në rrezik. Nëna ime dhe unë iu lutëm Zotit dhe diskutuam për skenarët e mundshëm. Në një pikë të caktuar më duhej të firmosja disa letra. Ishte një lloj testamenti. Nëse do vdisja, një pjesë e parave të mia do i shkonte nënës. Sigurisht që askush nuk donte të fliste mbi këtë, por duhej ta bëja. Mund të kishte mbaruar gjithça”, është shprehur Virgil Van Dijk./Halit Delibashi-Sport Ekspres/