Vullnet Basha ka pëlqimin e Panathinaikosit dhe sezoni i ardhshëm mund ta gjejë në kampionatin helen. Një kalim i tillë është përfolur prej disa ditësh, ndërsa në Greqi përpiqen të sjellin edhe një profil më të qartë të futbollistit shqiptar. Basha aktualisht është pjesë e Vislës së Krakocës në elitën e Polonisë, ku ka edhe një vit e gjysmë për të shlyer në kontratën e tij.
Por gjendja e vështirë financiare ka bërë që largimi i tij të shihet si një mundësi. Në Poloni Bashën e cilësojnë si një Bledar Kola të ri, madje edhe më të mirë se vetë ai. Në një prononcim për “Sportdog.gr“, gazetari polak, Prezemek Gazler, tregon më tepër për lëvizjen e Bashës, që sipas tij mund të provokojë edhe reagime të dhunshme te tifozët.
“Ai është Bledar Kola i ri. Ndoshta edhe më i mirë. Visla është në prag të falimentimit, prandaj Basha mund të largohet me Krakovën që tashmë i ka propozuar. Ky është kundërshtari i përjetshëm i Vislas, një lëvizje që nëse ndodh do të krijonte reagime të dhunshme. Tifozët mund t’i djegin makinën apo ti bëjnë diçka më të keqe atij“, ka deklaruar gazetari polak për Vullnet Bashën./Halit Delibashi-Sport Ekspres/