Nga Klaudio Ndreca
Presidenti i Partizanit ka bërë një rrëfim të gjatë për situatën aktuale të ekipit, ndërsa pritet edhe rikthimi i futbollit pas pushimit të detyruar për shkakun e pandemisë. Por edhe duke parë për të ardhmen, pasi prespektiva e klubit është përmirësimi dhe tejkalimi i kësaj krize, ku ka zhgënjyer jo pak me paraqitjen në këtë kampionat.
I ftuar në emisionin “E diela Proces”, Gaz Demi ka treguar edhe një prapaskenë. Një ofertë marramandëse ka mbërritur për të marrë drejtorin sportiv Olsi Rama, por nuk është pranuar. Gjithashtu kreu i Partizanit ka uruar edhe Refik Halilin para kohe për fitimin e Superiores, në mbledhjen e fundit që është bërë në takimin mes ekipeve.
“Kampionati do të fillojë dhe suksese të gjitha skuadrave. Është e vështirë që të respektohen rregullat, unë për vete isha kundër fillimit. Gjithsesi vendimi është marrë. Të jemi korrekt nuk ka gjithmonë suksese. Ne kemi qenë mirë në çdo vit dhe këtë herë kemi hasur probleme. Nëse arrijmë në UEFA, do të jetë çerek i suksesshëm. Mua më ka ardhur një ofertë për 2 milionë euro nga një klub i huaj dhe shumë serioz në Europë për të marrë Olsi Ramën. Ata donin të m’i dërgonin me bankë lekët, por unë i doja në dorë. Por mos dyshoni që ka ardhur vërtet.
Tiranën nuk e kemi armik në fund të fundit, më bëhet qefi që lojtarët e Partizanit që janë promovuar këtu dhe po e japin një ndihmesë te Tirana. Jemi pjesë e të njëjtit qytet. Edhe në mbledhjen e fundit, e kam uruar presidentin e Tiranës: “Urime i thashë, e more kampionatin”. Tani e kanë vetë në dorë ata”, tha Demi. /Sport Ekspres/