Vasil Shkurtaj do të largohet nga Kukësi në fundin e këtij sezoni, teksa këtë e ka pohuar vetë Nderim Nexhipi. Marrëveshja nuk është arritur me sulmuesin për vazhdimësinë dhe dëshira e lojtarit është për të vazhduar aventurën jashtë Shqipërisë.
Por nga ana tjetër nuk mbyllet përfundimisht hipoteza për një vazhdim në elitën e futbollit tonë, me ekipet e kryeqytetit. Në një intervistë për “Supersport”, Shkurtaj është shprehur se ndihet i nderuar për interesimet e Partizanit dhe Tiranës, por topin ia kalon Kukësit duke thënë se do të jenë verilindorët ata që do të thonë fjalën e fundit. Në rrëfimin e gjatë nuk ka munguar edhe pjesa e përjetimit të pandemisë që e gjeti në Spanjë dhe nga ku nuk mund të rikthehej dot në Shqipëri.
“Psikologjikisht kjo ishte një periudhë e keqe, megjithëse fillova të përshtatesha me situatën dhe po gjeja disa mundësi për të shtyrë kohën. Po shikoja filma, stërvitesha dhe po studioja online për disa gjëra që dua t’i bëj pas futbollit. Njëherë mendova se nëse dalë natën, nuk do të më shikonte njeri. Pas 5 minutash më ka ndaluar policia dhe më thanë që herën tjetër nëse do të ndodhte sërish, do të burgosesha. Ndiheshe sikur mbytesh në shtëpi dhe mezi prisja që të shkoja në supermarket për të marrë ajër.
Tani do të jetë pak e vështirë për rifillimin e kampionatit pasi e ndiej që muskujt nuk janë gati për të marrë ngarkesën e ndeshjes. Në Bundesligë ka pasur 9 dëmtime në 7 ndeshjet e para dhe kjo do të thotë se është shumë e vështirë. E vërteta është se ne të Kukësi jemi mësuar që të shohim stadiumin pa tifozë, megjithëse nuk na pëlqen një pamje e tillë. Unë dua që ndaj Tiranës të kemi një stadium të mbushur me tifozë sepse për ta luhet.
Sa i përket të ardhmes jam lojtari i Kukësit dhe dua shumë që të fitojë Superioren. Kështu dua që t’ia shpërblej presidentit Gjici investimin e bërë për mua. Dëshira ime është që të luaj jashtë Shqipërisë për vitin tjetër. Është nder që Partizani dhe Tirana interesohen për mua, por fjalën e parë dhe të fundit e ka Kukësi”, ka thënë Shkurtaj. /Sport Ekspres/