Pas lajmit të rëndësishëm se edhe në Itali do të rifillojë futbolli, të gjitha skuadrat janë duke u stërvitur për ta mbyllur sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme. Në kampin e Interit, të gjithë janë duke u përgatitur për testin e vështirë që do të kenë ndaj skuadrës së Napolit, e cila drejtohet nga Genaro Gattuzo.
Trajneri i Interit, Antonio Conte është duke bërë gjithçka që ka në dorë për ta fituar këtë betejë mjaft të rëndësishme dhe të kalojë në finale. Në raportimin e bërë ditën e sotme nga Gazetta Dello Sport thuhet se Conte e ka ndarë stërvitjen në tipe të ndryshme.
Në një seancë është fokusuar për anën taktike dhe ka bërë disa video për të parë dhe korigjuar gabimet e bëra, ndërsa një seancë tjetër është përqendruar në përgatitjen fizike të lojtarëve. Zikaltërit humbën ndeshjen e parë të gjysmëfinales 1-0 në shtëpi në San Siro dhe kështu u duhet një fitore e “rehatshme” për të kaluar në finalen e Kupës së Italisë. /Sport Ekspres/