Nga Klaudio Ndreca
Në Superiore u jepet gjithmonë hapësirë lojtarëve të huaj, që vijnë dhe ikin vetëm me zhurmën mediatike. Asgjë të treguar në fushën e blertë dhe shumë akuza pas ndarjes, që përfundojnë shpeshherë edhe në mediat e njohura të Europës.
Ndërkohë që nëse do t’i besohej më tepër akademisë, atëherë do të evitoheshin të gjitha këto telashe, pasi mbi të gjitha të rinjtë luajnë për fanellën dhe me shpirtin e skuadrës. Këtë herë është Sebastiano Toro, mbrojtësi që më parë ka qenë pjesë e Laçit dhe krahasohej me Arturo Vidalin. Në atë kohë do të provonte shansin edhe me Kombëtaren e Kilit, por karriera nuk i ka marrë ashtu siç e priste.
Aktualisht është pjesë e Kolinës, skuadër kjo që ndodhet në kampionatin e Kilit. E teksa kthen kokën pas, nuk lë pa përmendur edhe të këqijat e kaluara në Shqipëri në intervistën e dhënë për “Latercera”:
“Erdha nga Shqipëria shumë keq, sepse atje më kishin mbetur edhe 1 vit nga kontrata. Pagesat nuk u përmbushën dhe nuk ishin aq professional sa këtu apo në shtete të tjera. Djali është gjithmonë rëndësia e parë për mua, atje patëm telashe të mëdha me gjuhën. Familja nuk ishte e lumtur dhe kishte gjëra që i premtuan dhe nuk i bënë. Kështu u mblodhën të gjitha këto dhe mora vendimin për t’u larguar”, tha Toro. /Sport Ekspres/