Ndodh rëndom që lojtarët të kenë probleme të mëdha me drejtësinë. Kjo ka ndodhur dhe me lojtarë të klasit botërorë si Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi. Për të dy lojtarët, arsyeja kryesore e problemeve me qeverinë spanjolle ka qenë taksa e lartë mbi pagën vjetore.
Këtë herë lojtari që ndodhet në probleme serioze është sulmuesi i Atletico Madrid, Diego Costa. Prokuroria e Madridit ka kërkuar një ndëshkim shumë të rëndë të lojtarit, deri në arrestimin e tij me burg dhe një gjobë të majme me vlerën e gjysëm milioni euro. Seanca gjyqësore do të mbahet ditën e enjte në kryeqytetin e Spanjës, ku lojtari do të njihet me masën e marrë kundër tij.
Kjo nuk është hera e parë që një lojtar mund të përfundojë në qeli. Në muajin mars legjenda braziliane Ronaldinho vuajti dënimin me burg, pasi policia e Paraguajit i gjeti në përdorim një pasaportë të falsifikuar. /Sport Ekspres/