Nga Klaudio Ndreca
Gara për kryesimin e Superiores është ndezur si kurrë më parë, ndërsa në datën 3 qershor do të rifillojë edhe kampionati. Presidenti i verilindorëve, Safet Gjici, ka komentuar edhe gjendjen e skuadrës dhe shanset për të fituar titullin kampion.
Kur flasim për këtë objektiv, nuk mund të lihet pa përmendur edhe Tirana si kryesuesja aktuale. Kështu Gjici ka thënë se këtë skuadër e ka ndihmuar shumë fati, ndërsa në ndeshjen direkte të fituar së fundmi, ia lë të gjithë përgjegjësinë Duros. Njëkohësisht titulli i këtij viti në Superiore është cilësuar pa shije, për shkakun e pandemisë së Koronavirusit. Në intervistën e dhënë për “Fax Sport”, Safet Gjici nënvizon se Orges Shehi e di vetë objektivin dhe kushtet e kontratës që duhet të plotësojë për të qenë në stolin e ekipit edhe për vitin tjetër.
“Në futboll nuk ka shkencë ekzakte. 9 pikë janë shumë, por nuk janë dhe shumë. Unë besoj se ne kemi një ekip shumë më të mirë sesa të tjerat. Na kanë ndëshkuar edhe dëmtimet që ne kishim. Pikët janë aty dhe nëse ne fitojmë të gjitha ndeshjet, e arrijmë objektivin. Jemi të mobilizuar për të arritur këtë gjë. Pra 9 pikë janë shumë, por edhe nuk janë. Presim të bëjë hapat e gabuar edhe Tirana.
Nuk kam asgjë kundër Tiranës dhe kur erdhi trajneri i portierëve ekipi ndryshoi. Nuk ka mbaruar asgjë dhe për hir së vërtetës Tirana ka pasur shumë fat, duke fituar në momentin e fundit. Shumë ndeshje i ka marrë me fat dhe për herë të parë fitoi edhe me ne në këtë mënyrë. Ishte gabimi i trajnerit dhe stafit teknik pasi Tirana nuk kishte shanse të fitonte me ne. Nuk ka mbaruar asgjë. Edhe po e mori Tirana titullin, nuk do të ketë shumë shije për hir të kësaj situate. Shehi dhe ekipi ynë janë të dënuar për të fituar 10 ndeshje.
Shehi ka një kontratë te Kukësi dhe ai e di mirë sesi janë kushtet e kontratës. Kjo do të thotë se Shehi e di mirë objektivin, por edhe klubi e di këtë gjë. Por e përsëris që edhe sikur të marrë Tirana apo Kukësi do të jetë pa ndonjë shije të madhe, pasi është pa tifozë dhe me sforco të madhe”, tha Gjici. /Sport Ekspres/