Nga Klaudio Ndreca
Jasir Asani ishte një nga lojtarët më kualitativ të nxjerrë nga Superiorja, ndërsa provoi aventurën e re në Suedi. Me ekipin e AIK, futbollisti shqiptar nuk përjetoi ëndrrën e madhe për shkakun e pandemisë. Për këtë arsye nuk mund të tregonte të gjitha vlerat e tij për të bindur skuadrën suedeze që ta blinte kartonin e plotë te Partizani.
Për këtë arsye ka pasur shumë hipoteza për një rikthim të mundshëm te Partizani në fundin e këtij sezoni. Por Jasir Asani ka sqaruar të ardhmen për “Fan Zone”, duke u shprehur se sipas të gjitha gjasave do të qendrojë te AIK. Një tjetër element i rëndësishëm është se në Suedi po mendohet që të riniset kampionati me tifozë si më parë dhe pa marrë asnjë rregull përbazë.
“Në Suedi duan klubet që ta nisin me tifozë kampionatin dhe ashtu do të niset sipas gjasave. Gjendja këtu është e mirë, njerëzit dalin dhe stadiumet pritet që të jenë si më parë. E ardhmja? Do të flas me menaxherin, kam folur me stafin dhe drejtorin e klubit. Më kanë pëlqyer shumë, megjithëse për shkakun e Koronavirusit unë kam luajtur vetëm miqësore dhe ndeshje jo të rëndësishme. Por kam dhënë maksimumin tim dhe besoj se do të rri këtu. Të hënën do të merret vendimi, por besoj se AIK ka për të blerë kartonin tim dhe do të vazhdoj te AIK”, u shpreh Asani. /Sport Ekspres/