Kirian Nuabueze ka qenë një nga pikat më kryesore të suksesit të Laçit këtë sezon. Kurbinasit e mbyllën në vendin e 3-të para ndërprerjes së kampionatit dhe për këtë meritë ka pasur edhe sulmuesi amerikan. Ky i fundit ka shpëtuar jo pak herë skuadrën me rrjetat e tundura prej tij, duke qenë njeriu gol për laçianët, si dhe duke udhëhequr listën e golashënuesve në Superiore. Për këtë arsye ka përfunduar edhe në radarët e ekipeve të huaja, ku klube nga Turqia janë për folur se kanë shfaqur interes për të.
Por në momentin kur sezoni nis e bëhet më i vështirë, Cungu mund të mendojë t’i bëjë planet pa Nuabuezen në fushën e lojës, teksa sulmuesi rrezikon të mbyllë sezonin përpara kohe. Sipas asaj që raporton Supersport, lojtari amerikan nuk është rekuperuar ende nga një dëmtim më i hershëm dhe ndoshta mund të përfundojë në sallën e operacionit për t’iu nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale. E në këtë rast Nuabueze duhet t’i thotë lamtumirë këtij sezoni dhe të mendojë për tjetrin që do të pasojë. Patjetër që mungesa e tij pritet të lërë shumë boshllëqe në sulmin e Laçit, të cilët do të humbasin një futbollist të rëndësishëm për arritjen e objektivave të tyre. Nga ana tjetër edhe Kirian Nuabueze humb jo pak, pasi i largohet kështu një mundësi e mirë për të treguar potencialin e tij dhe për të bindur klubet e huaja të trokasin me një ofertë për shërbimet e tij./Halit Delibashi-Sport Ekspres/