Ka nga ata futbollistë që mjaftohen me pasurinë e venë prej karrierës së tyre, që jo pak herë e shpërdorojnë për jetën e tyre luksoze, por është edhe pjesa tjetër që vendos të investojë dhe të mendojë edhe për të ardhmen. I tillë është edhe rasti i Kristiano Ronaldos. Yllit portugez nuk i mungojnë aspak paratë, megjithëse të kesh më shumë të tilla dhe të shtosh shifrat në llogarinë bankare nuk është aspak keq.
Gjatë kohës që ishte në vendlindjen e tij, sulmuesi i Juventusit ka investuar për të vënë në jetë një plan të tijin. Sipas “Correio da Manha”, Ronaldo ka blerë një sipërfaqe toke prej 10 mijë kilometra katrorësh në Kaskais, një qytet pranë Lisbonës. Qëllimi i vetëm i investimit të 8 milionë eurove për të bërë të tijën këtë tokë është ndërtimi i një vile super luksoze, e cila më pas do të jepet me qera për të gjithë ata që janë të interesuar të kalojnë kohën e tyre në një nga zonat më të bukura dhe të pasura të Portugalisë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/