Nga Klaudio Ndreca
Besnik Kapllanaj po vazhdon të investojë shumë për futbollin në Ballsh dhe sukseset po korren nga ana e Bylisit. Në elitën e futbollit të Superiores ka qenë një realitet i bukur, duke qenë një “kockë e fortë” për të gjitha ekipet e mëdha.
Por pavarësisht kësaj synimet shkojnë shumë më tepër për Bylisin, që kërkojnë edhe mbërritjen në Europë. Në një lidhje me “Fan Zone”, Kapllanaj ka thënë se futbollistët e kësaj skuadre nuk e kanë ndaluar stërvitjen individuale për asnjë moment, nisur nga siguria e zonës ku ndodheshin dhe kushtet që kishin gjatë periudhës së pandemisë.
“Punimet në kompleksin e Bylisit po vazhdon dhe janë drejt përfundimit. Mendojmë që brenda këtij muaji të kemi zhvillime të reja. Ankesat e lojtarit Vinsente? Neve nuk mund t’i mbyllim askujt gojën që ka dëshirë të flasë sipas dëshirës së tij. Ne kemi dalë edhe dje në faqen zyrtare. Lojtari ka thënë që ka 4 muaj pa u paguar, por edhe në shkurt dhe 4 muaj nuk i ka bërë te ne.
Ai nuk ka as 1 muaj pa u paguar dhe të gjitha akuzat e tij hidhen poshtë. Ne nuk mund t’i bëjmë shkollën. Janë instancat e duhura që duhet të drejtohet dhe jo të flasë në media. Tani do të gjobitet rëndë, këtë mund të bëjmë, pasi gojën nuk mund t’ia mbyllim. Madje edhe muajin e shkurt ia kemi kaluar paradhënie.
Ekipi ka dy muaj që bën stërvitje individuale dhe po tregohemi korrekt. Kemi shfrytëzuar të gjitha mundësitë pasi kanë qendruar në hotel lojtarët tanë. Në zonën tonë nuk ka pasur asnjë rast me Koronavirus. A krijon kjo përparësi nga ekipet e tjera? Nuk e di a jemi për kampion, por ne jemi gati”, u shpreh duke qeshur Kapllanaj. /Sport Ekspres/