Në kohët e sotme imazhi shet shumë dhe tregu sa vjen e orientohet drejt tij. Emrin dhe logon e tyre e përdorin edhe shumë klube të njohura, të cilat nëprmjet tyre arkëtojnë shuma të konsiderueshme. Fanellat, shajet, apo aksesorë të ndryshëm janë ato që tifozët rendin t’i bëjnë tyret, ndërsa e gjithë kjo përkthehet në më shumë të ardhura për skuadrat e futbollit. Por Interi e kalon marketingun në një tjetër nivel.
Zikaltrit po e shfrytëzojnë më së miri logon e tyre, teksa tashmë nuk do të shesin vetëm veshje sportive për tifozët e tyre, por edhe elektroshtëpiake. Dyqani i ri i Suning.com është hapur në Kinë, ku në dispozicion të mbështetësve të Interit janë vënë edhe pajisje si sobë gatimi, frigoriferë apo lavatriçe. Pronari aktual i Interit, Zhang, ka një pjesë të madhe të aksioneve edhe në Suning.com, duke shfrytëzuar të dyja bizneset e tij që të kombinohen së bashku për të gjeneruar një shumë më të madhe parash./Halit Delibashi-Sport Ekspres/