Teuta nuk mjaftohet vetëm me pjesëmarrjen në Europë këtë sezon, por dëshiron që të arrijë shumë më tepër sesa kaq. Durrsakët kërkon mbërritjen në vendin e dytë, për të marrë pozicionin që aktualisht e ka Kukësi. Në një intervistë për “Fan Zone’, trajneri Martini është shprehur se është folur edhe më lojtarët gjatë kësaj periudhe, për të arritur në këtë objektiv.
“Të them të drejtën, kemi pritur për një kohë shumë të gjatë, por tani na ka ardhur buzëqeshja dhe jemi shumë të motivuar. Besoj se do të jetë një fazë interesante kjo e fundit.
Psikologjikisht ka qenë më problem sesa fizikisht, pasi të gjithë janë përgatitur individualisht gjatë kësaj kohe. Megjithatë kur rri kaq kohë pa punuar me topin, është pak e vështirë, por tani është rikthyer grinta e dëshira.
Këto dy muaj shkëputjeje, me këtë periudhë stërvitjeje, më ka shërbyer për t’u njohur më mirë me ekipin, por të shohim si do ecin gjërat. Kam biseduar edhe me çunat gjatë kësaj kohe dhe besoj se duhet të arrijmë në vendin e dytë. Ky është objektivi ynë, ndaj jam optimist se mund t’ia dalim”, tha Martini. /Sport Ekspres/