Adnan Polat, ish-presidenti i Gallatasarait dhe kreu i Grupit Polat, ka ngritur akuza penale në zyrën e Prokurorisë së Stambollit. Biznesmeni turk pretendon se partneri i Air Albania, Sinan Idrizi, i ka kërkuar para në mënyrë që ta ndihmonte për blerjen e një kompanie nafte në Shqipëri.
Administratori i Flamurtarit i ka propozuar Polatit një ide biznesi në vendin tonë, duke investuar në një kompani të quajtur Global Fluids International. Investimi do të kapte shifrën e 17 milionë dollarëve, ndërsa 3.5 milionë të tilla do të kërkoheshin si depozitë fillestare e në rast të mos finalizimit të blerjes do të ktheheshin mbrapsht. Ndërkohë sipas Polat, Idrizi i ka bërë me dije se kjo shifër do të duhej të dorëzohej prej tij si shenjë besimi dhe jo nëpërmjet bankës.
Ngjarja është zhvilluar në nëntor të vitit 2016, por 4 vite më pas bizensmeni turk nuk ka as aksionet e tij në kompaninë e hidrokarbureve dhe as 3.5 milionë dollarët e parapaguar në formë kapari. Polat është shprehur se për shkak të zgjedhjeve në vitin 2017 në Shqipëri kjo blerje nuk mund të kryhej, megjithëse më pas nuk i ka kthyer paratë mbrapsht.
Në lidhje me këtë çështje të krijuar, ka reaguar për herë të parë edhe Sinan Idrizi për “TVT” teksa shprehet: “Pala tjetër ka qënë e paaftë të përmbushë detyrimet e saj financiare dhe megithatë ne kemi qënë korrekt duke i ofruar kushtet tona të mirëkuptimit. Më kupton? E përsëris edhe njëherë që është situatë e pahijshme dhe zotërin Polat e kam mik të vjetër dhe para se të mbylleshin kufijtë kemi qenë bashkë në zyrën e tij, më ka kërkuar që të tërhiqet nga ky operacion, kena rënë dakort, ok, nuk ka mundësi financiare për të bërë operacionin, kaq.
Është një situatë që ai mund të ketë bërë padinë e tij, unë kam bërë padinë time, secili ka padinë e tyre, zotëria thotë gjëra tjera, unë i qëndroj çdo gjëjë që kam bërë në kontratë, është një kontratë që kam bërë, është kontratë biznesi, që do të përfundoi në Gjykatën Administrative dhe kaq. Është një kompani nafte, që nuk është kaq shifra, është disa herë më e lartë, është në naftë, në turizëm, në sektorin energjetikë”, u shpreh Idrizi. /Sport Ekspres/