Telashe të mëdha kanë dalë në dritë për administratorin e Flamurtarit, Sinan Idrizin. Përpos problemeve me klubin vlonjat, që këtë sezon ka prekur fundin dhe është drejt rënies në Kategorinë e Parë, tashmë Idrizi duhet të përballet edhe me akuzat për mashtrim. Sipas raportimeve nga media “Sabah” në Turqi, Adnan Polat, ish-presidenti i Gallatasarait dhe kreu i Grupit Polat, ka ngritur akuza penale në zyrën e Prokurorisë së Stambollit. Biznesmeni turk pretendon se parteni i Air Albania, Sinan Idrizi, i ka kërkuar para në mënyrë që ta ndihmonte për blerjen e një kompanie nafte në Shqipëri.
Administratori i Flamurtarit i ka propozuar Polatit një ide biznesi në vendin tonë, duke investuar në një kompani të quajtur Global Fluids International. Investimi do të kapte shifrën e 17 milionë dollarëve, ndërsa 3.5 milionë të tilla do të kërkoheshin si depozitë fillestare e në rast të mos finalizimit të blerjes do të ktheheshin mbrapsht. Ndërkohë sipas Polat, Idrizi i ka bërë me dije se kjo shifër do të duhej të dorëzohej prej tij si shenjë besimi dhe jo nëpërmjet bankës.
Ngjarja është zhvilluar në nëntor të vitit 2016, por 4 vite më pas bizensmeni turk nuk ka as aksionet e tij në kompaninë e hidrokarbureve dhe as 3.5 milionë dollarët e parapaguar në formë kapari. Polat është shprehur se për shkak të zgjedhjeve në vitin 2017 në Shqipëri kjo blerje nuk mund të kryhej, megjithëse më pas nuk i ka kthyer paratë mbrapsht. Në një situatë të till ish-presidenti i Gallatasarait e ka parë të udhës të ndjekë rrugën ligjore dhe ka ngritur padinë e tij gjyqësore, për t’ia lënë në dorë drejtësisë këtë çështje./Halit Delibashi-Sport Ekspres/