Nga Klaudio Ndreca
Igli Tare e ka ngritur zërin si kurrë më parë sa i përket asaj që po ndodh në futbollin italian. Drejtori sportiv shqiptar e sheh si një padrejtësi të madhe mbylljen e kampionatit, pasi do të largohen nga puna shumë njerëz që e mbajnë familjen e tyre pikërisht me këtë sport. Gjithashtu zyrtari i Lacios ka kërkuar që në Itali të kenë të njëjtin model për ta zbatuar ashtu siç në fakt e ka marrë edhe Shqipëria, protokollin gjerman. Ky i fundit thotë se nëse një lojtar infektohet, atëherë karantinohet vetëm pjesëtari i ekipit dhe jo e gjithë skuadra.
“Do të jetë një fatkeqësi sociale nëse mbyllet futbolli. Shumë muaj pasiviteti do të ishte e rrezikshme. Kushdo që thotë se duam të vazhdojmë kampionatin vetëm për interes personal nuk ka kuptuar asgjë. Futbolli i mban 370 mijë njerëz, nëse ndalet do të jetë një dështim. Ata na kanë zili ne dhe kush mendon se futbolli është vetëm Serie A, por nga ana tjetër ka mijëra njerëz dhe familje që punojnë, ne kemi për të detyrë t’i mbrojmë.
Nuk mendoj se Ministri Spadafora ka ndonjë qëllim të keq, por me siguri që ka Qeveri në Europë të cilat duan të ndihmojnë futbollin: Gjermania, Spanja dhe Anglia. Në Itali nuk është ky rasti, as në Francë ku ata kanë bllokuar gjithçka përfundimisht. Madje unë mendoj se qeveria franceze do të humbasë shumë çështje me klubet. Njerëzit janë nervoz dhe futbolli është terapia e tyre. Topi mund të jetë shenja e parë e jetës që fillon përsëri”, tha Tare. /Sport Ekspres/