“Kemi shanse të dalim kampion”, Hallaçi tregon ambiciet: Dua të bëhem trajner i parë te Kukësi, Gjici ka metodat e veta të motivimit

Rrahman Hallaçi ka nisur rrugën drejt karrierës së tij të re, e cila mbetet sërish në fushën e futbollit. Pas shumë sezoneve me fanellën e Kukësit, ish-mbrojtësi kthehet sërish te klubi verilindor, por këtë herë në rolin e ndihmës-trajnerit, ku është krahu i djathtë i Orges Shehit. I ftuar në emisionin “Fan Zone“ ditën e sotme, Hallaçi rrëfen edhe dëshirën për të qenë trajner i parë i Kukësit.

Përvoja në stol i duket shumë më ndryshe se ajo në fushën e lojës si futbollist, ndërsa tregon edhe përgjegjësitë që tashmë ka mbi vete në këtë detyrë. Sa i përket kampionatit ish-futbollisti shprehet se verilindorët kanë mundësi për t’u pagëzuar kampionë. Ndërkohë ka ndarë edhe një mendim mbi presidentin Gjici, për të cilin hedh poshtë zërat se ushtron presion në ekip, ndërsa thekson se ka mënyrën e tij për të sjellë motivimin në skuadër.

“Dëshira ime është e madhe që një ditë të jem trajneri i parë i Kukësit. Kam shumë vite në këtë skuadër dhe prandaj e dëshiroj një gjë të tillë, por për momentin jam zëvendës trajnerin dhe ndihmoj profesor Orgesin. Është ndryshe kjo pozita sesa të jesh lojtarë, atëherë mbyllje stërvitjen 1 orë e gjysmë dhe largoheshe. Ndërsa tani duhet të merresh me lojtarët, të bësh formacionin dhe të mundohesh që ata që rrinë në stol të mos u ngelë qejfi.

Ne kemi ende shanse për t’u shpallur kampion, besoj se do shpallemi kampion pasi për këtë objektiv madhor janë bërë edhe investimet. Edhe sikur të ishim ne në vendin e Tiranës do të ishim në presion tani, sepse ka ende shumë ndeshje në lojë. Gjici? Nuk është larguar nga skuadra, megjithëse ka më tepër inpenjime në Bashki. Nuk na ka vendosur asnjëherë në presion, vetëm se ka mënyrat e tij për të movituar skuadrën”, ka thënë Rrahman Hallaçi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *