Një ngjarje më shumë se e rëndë ka tronditur Turqinë. Futbollisti Cevhar Toktas, i cili luan me Bursa Yildirim në ligën e 4-t të kampionatit turk, i ka marrë jetën djalit të tij. Ky i fundit ishte i shtruar në spital si i infektuar me Covid-19. Djali 5-vjeçar ka qenë nën kujdesin e bluzave të bardha të mjekësisë, ndërsa po trajtohej në terapi intensive. Në momentin kur humbi jetën, ishte pikërisht pandemia ajo që u cilësua si shkaktarja, por e vërteta rezultoi krejtësisht ndryshe.
11 ditë pas vdekjes së djalit të tij, futbollisti turk rrëfen të vërtetën tmerruese në rajonin e policisë. Ishte pikërisht ai që me gjakftohtësi i kishte marrë jetën fëmijës së tij, duke përdorur jastëkun për rreth 15 minuta për t’i bllokuar frymëmarrjen. Akoma edhe më shokuese është arsyeja që lojtari jep për krimin e bërë, teksa shprehet se kurrë nuk e ka pëlqyer djalin e tij, prandaj edhe ka shkuar deri në këtë pikë.
“Për 15 minuta e ndalova të merrte fymë duke i vendosur një jastëk në fytyrë. Isha duke e parë djalin që po përpëlitej. Më pas pashë që po qendronte pa lëvizur dhe nisa të thërrisja mjekët për të shmangur dyshimet. Nuk kam qenë në gjendje ta dua djalin tim që kur kishte lindur. Nuk ia kam idenë pse nuk e dashuroja doj. Arsyeja përse e kreva këtë vrasje është se nuk më pëlqen djali im”, ka deklaruar Cevhar Toktas./Halit Delibashi-Sport Ekspres/