Serie A ka hapur prej kohësh dyert për lojtarët shqiptarë, të cilët me kalimin e kohës sa vijnë e shtohen në Serinë A. Së fundi është emri i Mërgim Vojvodës ai që po lakohet në mediat e vendit fqinj. Vetë menaxheri i lojtarit shqiptar, Adrian Aliaj, do e konfirmonte interesimin nga Serie A dhe ishte optimist se e ardhmja e Vojcodës në verë do të ishte pikërisht Italia. Ndërkohë është “Tuttosport” ajo që zbulon edhe emrat e klubeve të interesuara.
Torino dhe Fiorentina janë dy skuadra që kanë shfaqur pëlqim për mbrojtësin dardan. Të dy ekipet duan të përforcojnë vijën e djathtë të prapavijës dhe Mërgim Vojvoda shihet si një alternativë mjaft e mirë për planet e tyre. Lojtari shqiptar aktualisht është pjesë e Standartit të Liezhit në elitën e Belgjikës, por problemet financiare të shkaktuara nga pandemia Covid-19 mund të sjellin që belgët të heqin dorë ka mbrojtësi i përfaqësueses së Kosovës. Kartoni i tij vlerësohet rreth 2 milionë euro nga “Transfermarkt”, ndërsa në këto kushte blerja e tij nuk duket e vështirë për t’u arritur./Halit Delibashi-Sport Ekspres/