U zotua të mos hynte në fushë po të niste kampionat, presidenti i klubit të Serie A: Ndryshova mendje, por me një kusht

Massimo Cellino ishte një prej presidentëve “kokëfortë”, teksa me qëndrimet e tij doli kategorikisht kundër rinisje së Serie A. Presidenti i Brescia-s e përjetoi shumë keq pandeminë Covid-19, kjo edhe për faktin se qyteti i tij ishte dhe një nga më të prekurit në të gjithë Italinë, prandaj do të deklaronte se kampionati ishte i mbyllur. Madje do të zotohej se nuk do të fuste ekipin e tij në fushë në rast rifillimi të sezonit.

Por me kalimin e kohës Cellino duket se ka ndryshuar mendim në lidhje me këtë çështje, pasi së fundi është shprehur se duhet të rinisë sërish kampionati, në të kundërt do të falimentojnë të gjithë. Megjithatë e ka një kusht, teksa mbetet kundër idesë së të luajturit në fushë neutral dhe dëshiron që ndeshjet t’i zhvillojë aty ku i ka luajtur gjithnjë.

“Ndryshova mendje, do të bashkohem me shumicën. Duhet të përpiqemi të rifillojmë kampionatin, në të kundërt çdo kush këtu do të falimentojë. Sigurisht që në Lombardi është ende e ndërlikuar për të bërë testet mjekësore, por nëse luhet unë qendroj në Rigamonti, jo fusha neutrale”, ka thënë presidenti i Brescia-s, Massimo Cellino./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *