“Kemi bërë historinë e futbollit shqiptar”/ Partizani thumbon Kukësin: Marrin fonde ekipe provinciale me 5-10 vite histori

Kukësi është duke ndërtuar stadiumin e tij të ri dhe kjo ka ndezur edhe pakënaqësi te Partizani. Buxheti i këtij projekti vjen si një investim i përbashkët nga ana e FSHF-së dhe qeverisë shqiptare për t’i dhënë më tepër jetë qytetit verilindor, ekipi i të cilëve po dominon dekadën e fundit në futbollin shqiptar së bashku me Skënderbeun. Për këtë arsye “të kuqtë“ thumbojnë Kukësin, duke e quajtur ekip provincial me 5 vite histori, dhe përdorin të shkuarën e tyre të gjatë në Superiore për të argumentuar se fonde të tilla duheshin dhënë për stadiumin e Partizanit. Një gjë të tillë e bën të ditur sekretari i përgjithshëm i kryeytetasve, Gerald Burba, për “Panorama Sport“.

“A është normale që të akordohen kaq shume fonde për një stadium në Kukës dhe të mos jepet asnjë lek për një klub që ka bërë historinë e futbollit shqiptar, patjetër që nuk është. Ose a është normale që disa klube, kryesisht provincash, që historinë e tyre e kanë bërë vetëm këto 5-10 vitet e fundit, të trajtohen në mënyrë preferenciale dhe ato që kanë histori, traditë e tifozë më të shumtë në vend, jo vetëm të mos ndihmohen, por dhe shpesh të rëndohen përmes formave të ndryshme, sigurisht që nuk është normale”, ka thënë Burba.

Megjithatë ndonëse ka dalë në skenën e futbollit shqiptar vetëm 10 vitet e fundit, Kukësi është bërë një nga klubet më të fuqishme në Shqipëri. Përpos faktit se në çdo sezon hyn si pretendent kryesor për titull, gjithashtu u bë ekipi shqiptar që mbërritit deri në fazën “play off“ të Europa League, duke ngritur lart nivenin e futbollit tonë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *