Nga Klaudio Ndreca
Ardian Ismajli vazhdon të prodhojë lajm dhe jehonë sa i përket zgjedhjes së tij. Më herët mbrojtësi i Hajduk ka qenë pjesë e Kosovës, madje duke luajtur në miqësore me ekipin e parë dhe duke pasur shiritin e kapitenit tek të rinjtë U-21. Më pas zgjedhja e tij përfundimtare do të ishte për të qenë pjesë e Shqipërisë, atje ku ka fituar zemrat e tifozëve dhe të trajnerëve si Panuçi dhe Reja, pasi ka qenë titullarë i padiskutueshëm.
Por për trajnerët në Kosovë, një zgjedhje e tillë nuk duhet të ndodhte. Të paktën ky është reagimi i trajnerit të njohur shqiptar të Kosovës, Betim Shotani për “Gazeta Olle”, që shprehet se Kosova nuk duhej ta kishte lejuar largimin pasi Shqipëria i pa potencialin Ismajlit.
“Këto janë gabime që do të trashëgohen në vazhdimësi. Po neglizhohen lojtarët e ekipit U-21 dhe U-19. Në rastin e Ismajlit mendoj që kurrsesi nuk është dashur të lejohet një kalim i tillë. Shqipëria i ka hapur dyert duke ditur potencialin që ka”, tha trajneri Shotani.
Për të kaluar me trajnerin tjetër, Tahir Lushtaku, që e dërgon edhe më keq diskutimin(për tifozët që duan bashkim kombëtar), teksa shprehet se të gjithë lojtarët shqiptarë të Kosovës, duhet të luajnë vetëm për Kosovën.
“Është futbollist që ka dalë nga futbolli kosovar dhe tashmë luan në një ligë si ajo kroate, ai (Ismajli) ka cilësi të larta dhe para vetes ka një karrierë shumë të mirë, ndërsa ishte lojtar kyç i Kosovës U-21.
Përse zgjodhi Shqipërinë e jo të vazhdojë me Kosovën? Mendoj që më shumë i është dashur padyshim Kosovës për këtë jam shumë i sigurt dhe do ishte më e drejtë që të vazhdonte të luante për këtë fanellë, kur dihet që pjesë e Dardanëve janë edhe disa futbollistë që kanë dalë nga Superliga e Kosovës si Rrahmani, Rashica e Muriqi.
Si do që të jetë, ai ka bërë zgjedhjen e vetë që të jetë pjesë e Kombëtares së Shqipërisë. Por mendoj se tek disa futbollistë në zgjedhje se për kë të luajnë po ndikojnë edhe menaxherët e tyre pasi lojtarët po ndjekin edhe sugjerimet e tyre, por mendoj që futbollistët që kanë dalë nga futbolli kosovar duhet që të luajnë për Kosovën pa u hamdësuar dhe të njëjtën gjë është dashur ta bëjë edhe Ismajli”. /Sport Ekspres/