Maqedonia e Veriut dhe Kosova do të masin forcat ndaj njëra-tjetrës për të kapur ëndrrën Euro 2020. Një ndeshje e veçantë kjo që do të jetë edhe një derbi i Ballkanit, por që do të ketë futbollistë shqiptar nga të dyja palët. Në Kombëtaren e fqinjëve lindorë luan edhe Enis Bardhi, që mban veshur fanellën e Levantes me të cilët ka bërë mjaft mirë në La Liga.
Në një prononcim për “Fun Zone” futbollisti shqiptar flet edhe për këtë përballje, të cilën shprehet se do të dëshironte të luhej përpara syve të tifozëve për vetë rëndësinë që mbart. Vlerësimet për dardanët nuk mungojnë, megjithëse shprehet se është profesionist dhe do të kërkojë fitoren në fushë. Edhe pse nëna e tij është nga Kosova, Bardhi beson te eksperienca e grupit të Maqedonisë së Veriut dhe kërkon vetëm fitoren. Sa i përket të ardhmes së tij si futbollist, 24-vjeçari zbulon se interesimet për të nuk kanë munguar, por i pëlqen që t’i studiojë mirë mundësitë që do i jepen për të lëvizur.
“Me Kosovën do jetë një ndeshje shumë e bukur. Shpresoj që të jetë një lojë si të tjerat, shpresoj që të rikthehemi shpejt në fushën e lojës dhe ta presim me emocion atë ndeshje. Dua që ta luajmë me tifozë, pasi është një ndeshje shumë e rëndësishme dhe historike. Të dyja kombëtaret do të përpiqen të shkojnë në Europian. Në fushë jemi të gjithë profesionistë dhe do luajmë për fitoren. Tifozët duhet të shijojnë ndeshjen. Kosova ka ecur shumë, e kam ndjekur në shumë ndeshje dhe ka shumë kualitete. Nënën e kam nga Kosova babain nga Maqedonia, dhe shpresoj ta fitoj ai që e meriton. Unë besoj te eksperienca që kemi ne, pasi kemi bërë shumë ndeshje bashkë. Shpresoj që të jemi të gjithë në formë dhe të marrim fitoren.
Stërvitja? U tha se mund të nisnim stërvitjen individualë në fushë në 4 maj, por për shkak të të prekurve që raportohen nga dita në ditë, u shty dhe mendoj se do të rinisim në 11 maj. Sa i përket të ardhmes ka pasur interesime për mua, por është koha e koronavirusit dhe për momentin nuk kemi asgjë konkrete. Por nëse do jetë mundësia për një lëvizje, do e shikoja mirë. Më pëlqen shumë La Liga, ndonëse do kisha dëshirë të provoja një kampionat tjetër, por të shikojmë të ardhmes nuk i dihet“, ka deklaruar Enis Bardhi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/