Myrto Uzuni dhe Sindrit Guri janë dy prodhime të futbollit shqiptar dhe me punën e aftësitë e tyre arritën të bënin edhe hapin e radhës në karrierë. Lojtari beratas ka shkëlqyer në Kroaci dhe pret të sfidojë veten në një kampionat më të fortë, ndërsa Guri duket se nuk e gjeti dot veten si duhet në kampionatin belg, ku shohet larg asaj se çfarë ishte në Superiore. Vlerësimet më të mëdha për ta vijnë edhe nga një prej trajnerëve të njohur në vendin tonë, Artan Mërgjyshi. Të dy lojtarët kanë kaluar nga duart e këtij të fundit, ku Uzunin e ka pasur nën urdhërat e tij te Apolonia, ndërsa Gurin e ka trajnuar në kohën kur drejtonte Besën e Kavajës.
Në një prononcim për “Fan Zone“ në “Supersport“, trajneri që është pranë arritjes së Superiores me fierakët e Apolonisë zbulon edhe futbollistët më të mirë që ka stërvitur në karrierën e tij. Pikërisht Guri dhe Uzuni kanë qenë emrat e përzgjedhur prej Mërgjyshit, njëri për cilësitë e tij e tjetri për punën e palodhur dhe përkushtimin.
“Para se të largoheshin nga Apolinia kam stërvitur Filin dhe Uzunin. Klubi ka pasur disa lojtarë që kanë dalë nga kjo akademi dhe momentalisht shumë lojtarë të rëndësishëm që janë pjesë e Kombëtares U-21. Lojtari më i mirë që kam stërvitur? Kjo është e vështirë për të thënë një emër, sepse kam kaluar shumë lojtarë nëpër duar që nga viti 2007 kur kam nisur të trajnoj. Duke filluar që nga brezi i artë i Dinamos dhe për të ardhur deri tani te Apolonia. Por për nga cilësitë do të veçoja Sindrit Gurin, ndërsa për punën Myrto Uzunin. Ky i fundit ka punuar vërtetë shumë për të qenë aty ku është tani”, ka thënë Artan Mërgjyshi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/