“Mos bëj cirk, po gola”, Kapelo tregon si e solli në shina Ibrahimoviçin: Ai luante për qejf, nuk e kishte mendjen te goli

Fabio Kapelo është një nga trajnerët më të njohur në botë, ku në karrierën e tij ka drejtuar shumë klube të njohura. Të jesh në krye të Juventusit, Romës, Milanit apo edhe Realit të Madridit patjetër që të jep mundësinë të kesh nën urdhërat e tua shumë nga yjet më të mëdhenj të futbollit. Një ndër ta ka qenë edhe Ibrahimoviç, të cilin e ka trajnuar në vitet e tij të para të karrierës si futbollist, kur kishte lënë Ajaksin për t’iu bashkuar bardhezinjve. Kapelo ka zbuluar se sulmuesi suedez luante më tepër për qejf në atë kohë, duke e lënë mënjanë golin. Për këtë arsye tekniku Italian ka vendosur t’i japë edhe këshillën e tij, të bënte më pak cirk në fushë e më shumë gola.

“Zllatani erdhi nga Ajaksi dhe luante vetëm për qejf. Shënimi i golave ishte dytësor për të. Me potencialin që kishte, duhej të shihte më tepër të gjente rrjetën dhe të bënte më pak cirk në fushë. Duhet ta bëja të kuptonte këtë gjë për ta bërë lojtarin e madh që është, sepse ai ende e vërteton në moshën 38-vjeçare. Është e gjitha falë tij. Unë thjesht i dhashë sugjerimet dhe ai i vuri në praktikë”, ka deklaruar Kapelo./Halit Delibashi-Sport Ekspres/