Italia është një nga shtetet me pasojat më të rënda prej Covid-19 dhe e para që përjetoi barrën e vërtetë të kësaj pandemie në Europë. Kjo ka ndikuar shumë edhe në futboll, teksa klubet fillimisht ishin të ndara në bindjet e tyre. Kishte skuadra si Lazio që kërkonin me ngulm rifillimin sa më parë, disa të tjera që dëshironin të luanin vetëm nëse ishte e sigurt, apo edhe rasti ekstrem si ai i Breshias, që ishte e bindur se ky sezon kishte përfunduar. Madje presidenti Cellino kërcënoi se ekipi i tij nuk do të hynte më në stadium për të luajtur.
Megjithatë lajmi i fundit nga Italia rezulton se edhe Breshia ka ndryshuar mendje. Kjo pasi të 20 ekipet kanë vendosur njëzëri dhe në mënyrë unanime për të çuar deri në fund këtë sezon të lënë përgjysmë. Kështu nuk ka më dyshime për sa i përket kësaj çështjeje, ku edhe klubet shkojnë përkrahë vullnetit të UEFA-s për të mbyllur gjithçka në fushën e lojës dhe jo në tavolinë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/