Pandemia Covid-19 ka bërë që të merren masa të rrepta sigurie për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve dhe për këtë shqiptarëve u është kërkuar që të qendrojnë në shtëpitë e tyre. Një sfidë tejet e vështirë, por në këto kushte mbetet e vetmja armë për të luftuar këtë virus. E me këtë ngjarje është solidarizuar edhe grupimi besnik i tifozëve të Kombëtares, TKZ. Këta të fundit nisën një nismë tejet të veçantë, duke modifikuar shprehjet që këndojnë në shkallët e stadiumit në mënyrë që të përcjellin mesazhe sensibilizuese për të gjithë shqiptarët që të qendrojnë në shtëpi.
“O sa mirë me ndejt në ship o hej”, apo “Kush s’rri në shpi nuk është shqiptar” janë disa prej thirrjeve të modifikuara prej tyre për t’ju përshtatur situatës aktuale. Gjithashtu edhe grupimi “Plisat” kanë qenë protagonist këto kohë, duke i kënduar ekipit të tyre të zemrës, Prishtinës, nga ballkonet e shtëpive. Ndërkohë gazetari Kushtrim Bekolli na paraqet edhe një video, që zbulon më tepër rreth këtyre ideve interesante dhe ku flasin edhe vetë protagonistët.
“Duke pasur parasysh rrethanat në të cilat ndodhemi, jo vetëm ne si popull po gjithë bota prej pandemisë Kornavirus, ne e kemi parë të arsyeshme ta thyejmë këtë lloj monotonie, pasi mbi të gjitha është një farë lufte psikologjike. Kur njerëzve i thua të qendrojnë në shtëpi, ata duhet të bëjnë diçka për të qendruar aty, duhet të bëjnë diçka për të ndryshuar atë monotoninë e përditshme. Ne kemi bërë një farë ndryshimi të thirrjeve tona, një improvizim të tyre me thirrjet e autoriteteve shëndetësore dhe atyre shtetërore, të cilët kërkojnë të qendrojmë në shtëpi, të mbajmë distancën, të mos mblidhemi në numër të madh njerëzish.
Ne kemi grupin tonë në rrjetet sociale, që funksionon në kuadër të TKZ dhe aty kemi shpalosur idenë se si do të duken këto lidhjet tona në lidhje me shtëpinë. Psh: “Shqipëri Etnike”, e kemi bërë “Shtëpi Etnike”. Apo edhe “Kush nuk kërcen nuk është shqiptar”, një prej thirrjeve tona emblem të tifozave e kemi bërë “Kush s’rri në shpi nuk është shqiptar” e kshtu me radhë. E kemi parë të arsyeshme për të kthyer pak a shumë atë atmosferën e stadiumit, por të lidhur me situatën aktuale.
Ka pasur shumë mesazhe positive, shumë mesazhe përkrahëse. Fillimisht prej kapitenit legjendar Lorik Cana, i cili e ka përkrahur dhe e ka shpërndarë edhe në profilin e vetë, por ka pasur edh figura të tjera të njohura. Ashtu si ka qenë motoja e thirrjeve tona për të qendruar në shtëpi, për të vazhduar prapë me jetën normale dhe për të mbushur tribunat e stadiumeve plot, mendojmë se është shumë e rëndësishme t’i dëgjojmë thirrjet e autoriteteve”, ka thënë Petrit Osmani, përfaqësuesi i “Tifozave Kuq e Zi”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/