“Kemi gjak shqiptari dhe dua një Kombëtare kuqezi”, Aliaj tregon prapaskenat e merkatos: Rrahmanin e ndiqte Arsenali, Vojvoda shkon në Serie A

Adrian Aliaj po ndjek një karrierë po aq të suksesshme sa ajo kur ka qenë futbollist, duke bërë rolin e menaxherit të lojtarëve. Ish-futbollisti kuqezi ka nën menaxhimin e tij dy lojtarë të përfaqësueses së Kosovës, Rrahmanin dhe Vojvodën. Kapiteni dardan hodhi fillimisht hapin e madh në verë, ku kaloi në radhët e Veronës në Serie A, ndërsa në merkaton e dimrit Aliaj arriti ta sistemonte në një ekip të madh si Napoli, fanellën e të cilit do e veshë sezonin e ardhshëm.

Ndërkohë në një intervistë për “KTV”, ish-lojtari shqiptar tregon se në garë për Rrahmanin kanë qenë edhe ekipe nga Spanja dhe Bundesliga, ndërsa zbulon se mbrojtësi i Veronës ka përfunduar edhe në lupën e gjigantëve të Arsenalit, megjithëse nuk mbërriti një ofertë konkrete prej tyre. Por pas suksesit me Rrahmanin, Aliaj kërkon të sjellë në elitën italiane një tjetër mbrojtës shqiptar. Bëhet fjalë për Vojvodën, i cili me shumë gjasa do të luajë në Serie A sezonin që vjen. Madje bëhet e ditur se është një ekip i qendrueshëm në kampionat dhe që renditet në mesin e tabelës. Sa i përket çështjes së Kombëtares, Adrian Aliaj e thotë hapur se ka gjak shqiptarin dhe dësshiron vetëm një kombëtare, atë kuqezi.

“Është klub stabël në Serie A dhe në mesin e tabelës. Nuk është vetëm një por janë dy klube. Dëshira ime si agjent është ta çoj në Serie A vetëm për kualitetin e lojtarit dhe them se aty do ia dali pa probleme. Shpresoj të realizohet. Të shohim si do jetë situata deri në fund të kampionatit.

Rrahmani? Më konkretisht kemi pasur dy klube nga Bundesliga dhe një nga Spanja. Arsenali ka qenë  le të themi në skautim sic bëjnë me lojtarët e tjerë në Itali dhe një prej tyre ka qenë edhe Rrahmani. Nuk kemi pasur një ofertë zyrtare apo një telefonatë zyrtare nga Arsenali, por nga Bundesliga kemi pasur dy klube dhe nga Spanja. Kemi pasur thirrje nga drejtori sportive me mua konkretisht dhe kemi folur për gjëra konkrete.

Gjakun e kemi shqiptar dhe gjithmonë e kam atë dëshirën e madhe të shohim një Kombëtare, atë kuqezi. Nuk dua të bëj politikanin tani. Shqipëria është dëmtuar shumë, jo pak. Po e them me pastërti. Kemi pasur mbështetje  shumë të madhe nga Kosova që nga koha kur unë luaja”, ka thënë Adrian Aliaj./Halit Delibashi-Sport Ekspres/