Nga Klaudio Ndreca
Vlerësime të mëdha ka marrë Gentian Selmani nga mediat me ndeshjet që ka zhvilluar në Turqi me ekipin e Menemesporit. Gjithashtu nuk kishte sesi të ndodhte ndryshe, ku ka pasur një interesim nga disa klube të Serisë A dhe elita e futbollit të Turqisë.
Emra të shumtë janë rikthyer në skenë së fundmi, për ta marrë portierin shqiptar me fillimin e merkatos. “Sport Ekspres” ka zhvilluar një intervistë me Selmanin, që e ka Serinë A si ëndrrën e madhe. Në fund të fundit si çdo shqiptar që tërhiqet nga ky kampionat, por këtë herë do të jetë protagonist në fushë dhe nuk do ta ndjekë nga televizori. Interesimet mbeten nga Italia, ndërsa duhet të presim për vendimin përfundimtar. Shqipëria duhet të jetë e qetë për të ardhmen e saj në portë, pasi jemi edhe në duart e sigurta të Gentian Selmanit.
Si po kalon izolimi ne Turqi pasi në mos gabojmë je ndër të paktët lojtarë aty që jeni larg familjes dhe sa e vështirë është në aspektin psikologjik?
Në përgjithësi ka shkuar mirë deri tani. Unë jam munduar që ta marrë situatën me sportivitet. Në çdo ditë me stërvitje, palestër, vrapime dhe Netflix. Kështu koha kalon. E vetmja gjë që më mungon është familja sepse jam larg tyre në këto momente dhe në një shtet të huaj, por janë situata që na bëjnë më të fortë.
Sa i përket futbollit të luajtur ka ndonjë datë ekzakte për rinisjen e kampionatit ne Turqi?
Në maj është e menduar që të nisim stërvitjen me ekipin. Ndërkohë në qershor pritet që të vazhdojë edhe kampionati, megjithëse nuk e ka ende një vendim përfundimtar.
Aventura te Menemespori, është ajo dëshira jote e madhe e realizuar, ndërsa më herët ke qenë pjesë e Laçit?
Kjo është një aventurë shumë e mirë që po e kaloj. Jam brenda pritshmërive dhe ka qenë një sezon i suksesshëm deri tani. Jemi brenda objektivit që na ka vendosur klubi dhe për këtë jam i kënaqur.
Në media përflitet shumë për një kalim tëndin në Seria A. Mbetet edhe për ty dëshira më e madhe, për të kaluar në këtë kampionat?
Normale që dëshira është shumë e madhe, është një ëndërr. Por nga ana tjetër nuk mund të them asgjë për momentin. Kam dëgjuar ashtu si edhe ju që ka pasur interesime nga skuadra të Serisë A, por konkretizimet mungojnë ende.
Trajneri Laleci iu vlerësoi në intervistën për “Sport Ekspres” dhe i’u sygjeroi elitën e Turqisë para Serisë A. A do të ishte kjo rruga më e mirë?
Në të njëjtën kohë edhe Superliga e Turqisë është një mundësi që unë do e pëlqeja shumë. Por në këtë moment nuk po mendoj shumë për merkaton. Unë jam i fokusuar te kampionati dhe ta mbyllim me sukses këtë sezon.
Sa i përket Kombëtares, tani kemi 3 portier kalibri dhe që na japin qetësi. Mendon se ekipet ku ke luajtur të kanë penalizuar deri tani për të pasur hapësirën tënde te Shqipëria?
Nuk mund ta themi diçka të tillë, por normale se kalimi te një klub më i mirë do të më ndihmonte në shumë aspekte. Të luash për Kombëtaren është një ëndërr për të gjithë futbollistët shqiptar, gjithashtu edhe e imja. Por ne kemi shumë portierë të mirë dhe kushdo që luan është e rëndësishme që të jap maksimumin. Unë do të punoj fort dhe të jem i gatshëm kur të më jepet rasti. /Sport Ekspres/