Nga Klaudio Ndreca
Thomas Strakosha ka interesime nga shumë skuadra të njohura, pasi ka zhvilluar një sezon fantastik me Lacion. Vlera rritet edhe më tepër duke parë se kryeqytetasit janë në luftë për Skudeton dhe do të rikthehen pas shumë vitesh në “Champions League”.
Po si po stërvitet Thomas Strakosha? Fati i tij i madh është se ka një trajner personal të veçantë, babain e tij. Në një intervistë për “A2 Neës” ka treguar se vazhdon të dëgjojë ulërimat e Fotos, si dikur kur ishte fëmijë, pa asnjë ndryshim të vetëm.
“E kam thënë gjithmonë, jam shumë i lumtur te Lazio. Jam i kënaqur edhe nga klubi, ekipi, tifozët. Ndihem si në shtëpinë time, jam shumë afër nga Shqipëria dhe Greqia, ku kam lindur, prandaj dua të vazhdoj te Lazio.
Po e kaloj në Romë këtë kohë, në shtëpinë time. Nuk mund të lëvizim shumë, vetëm për gjërat kryesore. Po bëj shumë palestër, dhe pak stërvitje me babin, që akoma më bërtet shumë të isha fëmijë. Po përpiqem të mbahem në formë.
Futbolli më mungon shumë sepse është jeta ime. Edhe shokët e ekipit se jemi bërë si familje. Më mungon shumë normaliteti, por tani gjëja kryesore është të rrimë në shtëpi. Në Itali akoma nuk dihet kur mund të vazhdojë futbolli, por për mua nuk ka rëndësi fare. Tani shikoj çdo ditë në lajme që njerëzit po humbasin jetën, janë shumë keq në spital. Prandaj për mua gjëja më e rëndësishme është ta kalojmë situatën dhe pastaj të gëzojmë të gjithë bashkë në fushën e blertë”, tha Strakosha. /Sport Ekspres/