Motivohet me “Kuq e Zi” përpara ndeshjeve në Belgjikë, Vojvoda u shuan kureshtjen tifozëve

Mërgim Vojvoda po ndjek rregullat e izolimit në Belgjikë dhe për këtë arsye është tepër aktiv në rrjetet sociale. Mbrojtësi shqiptar ka shpërndarë në profilin e tij në “Instagram” një postim ku tregon më tepër rreth vetes së tij. Pyetjes “cili lojtar jeni ju?” Vojvoda i është përgjigjur duke ndarë me të gjithë më tepër detaje në lidhje me ekipin e preferuar, futbollistin e preferuar apo edhe çfarë kënge dëgjon para se të nisë ndeshjen.

E për këtë të fundit duket se asgjë nuk e motivon më tepër se “Kuq e Zi“ nga Unikkatili, megjithëse këto ngjyra zgjodhi të mos i mbante më gjatë veshur për të mbrojtur fanellën e Kosovës. Pak muzikë shqip është mënyra më e mirë për të qenë gati përpara një përballjeje për të. Ndërkohë mbrojtësi i përfaqësueses së Kosovës tregon se ekipi që simpatizon më tepër është Chelsea dhe futbollisti i tij i preferuar është Ronaldinjo, i cili ka mrekulluar shumë tifozë në kohën kur ishte ende aktiv në fushën e lojës./Halit Delibashi-Sport Ekspres/