Pas një karriere të mbushur me sukses si futbollist në fushën e lojës, tani Altin Lala po përpiqet të bëjë emër edhe në fushën e menaxhimit të lojtarëve. Rrugën e ka nisur mjaft mirë, teska Rashica është kthyer në qendër të vëmendjes te Bremeni dhe ashtu siç vetë Lala do të shprehej, sezoni tjetër do e gjejë në një klub tjetër, ku od të luajë edhe në kompeticionin më madhor për klube, Champions League.
E nëse Milot Rashica i doli një “bingo”, ish-mesfushori i Kombëtares shqiptare po i hedh sërish sytë nga Kosova për të gjetur talentin e radhës. Bëhet fjalë për Elton Krasniqin e skuadrës 2 Korriku. Djaloshi është vetëm 15 vjeç dhe mban veshur gjithashtu fanellën e Kosovës U-17. Dashuria e tij për futbollin i kalon limitet dhe këtë e tregojnë qartë edhe 100 kilometrat që ai i përshkon përditë në mënyrë të palodhur për t’u stërvitur. Një talent që nëse vazhdon të mbajë po të njëjtin passion dhe përkushtim, atëherë mund ta shohim në kampionatet europiane në të ardhmen nën menaxhimin e Altin Lalës. Lajmin e ka konfirmuar vetë ish-futbollisti kuqezi për “KTV”, duke qenë tejet optimist për të ardhmen e talentit shqiptar dhe aftësitë e tij.
“Tashmë është edhe një djalë tjetër i ri nga Kosova, Elton Krasniqi. Edhe shpresoj të ketë një të ardhme shumë të mirë. Është një talent i jashtëzakonshëm dhe me atë jam duke punuar dhe shpresoj që së shpejti të bëjë një hap përpara”, ka thënë Altin Lala./Halit Delibashi-Sport Ekspres/