Ekskluzive/ “Luajta 2 ndeshje dhe ika, nuk ishte niveli im”! Quhej makineri golash, Loshi flet nga Polonia

Nga Klaudio Ndreca

Skënder Loshi njihej ndryshe edhe si një makineri golash në Holandë, ndërsa ishte pjesë e të rinjëve të Nac Bredës. Atje do të shënonte thuajse në çdo ndeshje, madje në një rast duke e tundur rrjetën kundërshtare 5 herë brenda 90 minutash kundër Achilles.

Në përgatitjet e janarit gjatë vitit të shkuar kur Nac Breda luante në “Eredivisie”, trajneri i ekipit të parë e ka surprizuar Loshin duke e marrë me vete me “veteranët”. Ky ishte një vlerësim për të treguar se sulmuesi në fjalë ishte në vëmendje, ndërsa ka përfaqësuar edhe Shqipërinë U-21.

Por papritur do të transferohej te liga e tretë në Holandë, TEC. Një transferim vërtet i pakuptimtë ndërsa të gjithë prisnin një hap më të madh nga ana e Skënder Loshit duke parë statistikat e frikshme. Në një prononcim të dhënë për “Sport Ekspres”, na tregon saktësisht edhe pendimin për lëvizjen e bërë:

“Unë kam luajtur vetëm dy ndeshje për atë ekip në Hollandë që ndodhet në ligën e tretë. Të them të vërtetën kam ikur menjëherë se nuk ishte niveli im. Por fatmirësisht në një nga ato ndeshje të luajtura, më kanë thirrur që të shkojë në Poloni. Menjëherë kam firmosur kontratën për 1.5 vite dhe opsion rinovimi edhe për 1 vit tjetër”, ka thënë Loshi. Sulmuesi 21-vjeçar ka shkuar në skuadrën polake të Stomil Olsztyn që ndodhet në Divizionin e Parë dhe ky mund të quhet padyshim një hap përpara. /Sport Ekspres/