Antonio Conte është një nga trajnerët më të vlerësuar në qarkullim. Tekniku Italian ka provuar në karrierën e tij stolin e juventusit, Chelseat, Kombëtares së Italisë si dhe së fundi atë të Interit. Trofetë nuk i kanë munguar përgjatë këtyre viteve, ndërsa edhe te Interi po bën mirë duke marrë duartrokitjet e shumë tifozëve, të cilët në fillim mund të ishin skeptikë për hir të së shkuarës së tij si juventin.
Por në të njëjtin mendim nuk është ish-futbollisti dhe ish-trajneri Aldo Agroppi. Ky i fundit nuk i ka kursyer kritikat për Conten, duke vënë një pikëpyetje të madhe në aftësitë dhe arritjet e këtij të fundit. Sipas Agroppit ulërimat nuk janë çelësi i suksesit kur drejton një skuadër, ndërsa shton se i duken për të qeshur fjalët se tekniku Italian ka sjellë një mentalitet të fort te Italia.
“Nuk më pëlqen Conte për maninë e tij për tu dukur, shumë të bërtitura dhe dramë në pankinë. Ju nuk fitoni duke vepruar si në një cirk dhe duke ulëritur. Ai gjithmonë ka drejtuar ekipe të shkëlqyera, por gjithashtu ka pësuar humbje të mëdha. Kur dëgjoj fjalë të tipit se ai solli një mentalitet të fortë te skuadra e Italisë, më vjen për të qeshur.
Conte thjesht po luan një pjesë, i shkon kur fiton, por kur humbet ai bëhet i padurueshëm për lojtarët dhe drejtorët. Mos harroni, se Italia nuk u fut as në katër të parat në Europian. Conte është i mbivlerësuar, pasi edhe një herë këtë sezon ai u eleminua nga Champions League në raundin e parë me Interin dhe po është i renditur pas në Serie A. Gjithashtu ai është shkarkuar nga Arezzo dhe Atalanta”, ka thënë Aldo Agroppi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/