Enea Mihaj është një nga ata futbollistë prej të cilëve pritet shumë në të ardhmen. Mbrojtësi kuqezi mban fanellën e PAOK-ut në kampionatin grek, megjithëse hapësirat në radhën e tyre nuk kanë qenë të mëdha këtë sezon. Por aftësitë e lojtarit kuqezi nuk mungojnë dhe në të ardhmen situate mund të ndryshojë. I gjendur në izolim në Selanik, Mihaj ka treguar për “Sport FM” edhe se si po përballet me këtë situatë të pazakontë e të vështirë të krijuar prej Koronavirusit, si dhe zbulon edhe qëllimet e tij në të ardhmen.
Mbrojtësi i Kombëtares shprehet se dëshiron që të rinisë sërish kampionati, ndërsa e bën të qartë edhe ambicien e tij se në të ardhmen kërkon të luajë titullar si dhe të luajë jashtë Greqisë. Ndërkohë nuk kanë munguar edhe batutat në lidhje me gjendjen prej Covid-19, teksa shprehet se pasi të përfundojë e gjithë kjo do të jetë njësoj sikur do të shkojnë në ditën e parë të shkollës.
“Të gjithë duam të luajmë në play-off, ku do të gjykohet kampionati. Patjetër që mendimi ynë i parë është të dalim nga të gjithë të shëndetshëm, por natyrisht dëshira e të gjithë neve është që të përfundojmë sezonin në fushë. Ne jemi në kontakt me trajnerin. Ai na pyet se si jemi ne dhe familja jonë, ndërsa kohët e fundit të gjithë futbollistët kishin një telekonferencë. Gjëja e parë që Z. Ferreira na thotë është të kujdesemi për shëndetin tonë dhe më pas të qëndrojmë në një gjendje shumë të mirë dhe t’i kushtojmë vëmendje dietës sonë, sepse të gjithë duam që kampionati të vazhdojë. Ne nuk e dimë nëse do të ndodhë, por duhet të jemi gati.
Deri tani më kanë munguar seancat e trajnimit, konkurrenca dhe vullneti për tu përmirësuar. Ata që bëjnë sport në ekip ndjehen sikur kanë marrë një pjesë nga familja jonë dhe ne nuk mund ta shohim atë. Është shumë e vështirë. Konkurrenca në stërvitje dhe lojërat janë përpara nesh. Rikthimi në stërvitje pas kësaj situate? Do të jetë si dita e parë në shkollë pas pushimeve të verës, do të shihni njerëz që keni pasur kohë pa i parë. Ne sigurisht që të gjithë do të jemi të lumtur, sepse, përveç të tjerave, do të thotë që gjërat do të jenë përmirësuar për të gjithë.
Për mua, gjëja më e rëndësishme është të luftosh. Unë mendoj se vlen për të gjithë futbollistët. Ajo që dua për sezonin e ri dhe për të ardhmen është të luaj sa më shumë dhe të përmirësohem. Në pesë vjet nga tani unë dua të jem në një nivel të lartë dhe pse jo, për të luajtur jashtë vendit. Por nuk dua të shoh shumë larg, sepse kur e bën këtë e humbet të tashmen”, ka deklaruar Enea Mihaj./Halit Delibashi-Sport Eskpres/