“Lojtarët do të jenë si makinat e Formula 1”, Ranieri flet për vazhdimin: Do ndryshohen 5 futbollistë për ndeshje

Nga Klaudio Ndreca

Në Itali kanë nisur të shohin dritë në fundin e tunelit sa i përket qetësimit të situatës për shkakun e Koronavirusit. Më pak viktima dhe raste të reja ka pasur në vendin fqinj, megjithëse pandemia është ende një vatër e nxehtë.

Ndërkohë protagonistët e futbollit kanë nisur që të mendojnë për rikthimin. Trajneri i Sampdorias, Ranieri, është shprehur se lojtarët do të jenë tani si makinat e Formula 1, ndërsa do të detyrohet të bëj nga 5 ndryshime për ndeshje, duke parë kalendarin e ngjeshur.

“Unë them që mjekët duhet të marrin përgjegjësitë e tyre dhe të kuptojnë nëse është e përshtatshme që ndeshjet të zhvillohen. Meqenëse është një sëmundje që askush nuk e di dhe askush nuk e di se si përfundon, lojtarët janë si makina të Formula 1, ata duhet të shtyhen në limite: a mund të shtyhen këta djem në maksimum?

Dhe pastaj një muaj përgatitje do të jetë i mjaftueshëm për të shkuar për të luajtur tre ndeshje në javë? Nuk mund të përgjigjem po ose jo, sepse nuk jam mjek.

Ne i marrim të gjitha masat e nevojshme, shumë mirë. Ne luajmë tre ndeshje në javë, shumë mirë. Pra, ne bëjmë pesë ndryshime për ndeshje, kështu që ne përpiqemi t’i ndihmojmë djemtë të rikuperohen më mirë. Sepse përndryshe do t’i çojmë ata në stres maksimal dhe nuk duket e përshtatshme t’i sjellim sërish ata lojtarë në stres maksimal”, ka thënë Ranieri. /Sport Ekspres/