AEK-u i Athinës vijon punën për të ndërtuar stadiumin e tyre të ri, i cili do të ketë një kapacitet prej 32 mijë vendesh. Por një i moshuar nuk i ka rezistuar dot tundimit dhe ka lënë banesën e tij, e cila ndodhej pranë stadiumit, për të parë nga afër punimet për atë që do të jetë edhe streha e re e klubit kryeqytetas dhe tifozëve të saj. Dashuria për futbollin edhe ekipin e zemrës ka bërë që 60-vjeçari të thyejë karantinën e detyruar për shkak të Koronavirusit.
Pa lejen e daljes me vete, i moshuari është ndëshkuar me një gjobë prej 150 eurosh ka policia Helene. Megjithatë sapo është vënë në dijeni, presidenti i ekipit të njohur grek ka vendosur të paguajë vetë klubi masën ndëshkimore. Madje situata nuk i shkoi aspak keq 60-vjeçarit, pasi përveç faktit që AEK-u mori përsipër të paguente gjobën e tij, këta të fundit e kanë “shpërblyer” duke i dhënë edhe një abonim për sezonin e ardhshëm. Në këtë mënyrë tifozi helen do të ketë mundësinë që të përjetojë emocionet e ekipit të zemrës nga shkallët e stadiumit të ri. Të moshuarit i ka buzëqeshur kështu fati edhe pse në mënyrë të çuditshme, pasi kurrsesi nuk mund ta imagjinonte se ngjarja do të rridhte në këtë mënyrë pas shkeljes së rregullave të karantinës./Halit Delibashi-Sport Ekspres/