Jetët e njerëzve duket se nuk janë e vetmja gjë të cilën pandemia globale po vret, teksa po e bën diçka të tillë edhe me raportet shoqërore. Rasti konkret vjen nga bota e NBA në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Basketbollisti Donovan Mitchell i kanë dhënë fund raportit me shokun e tij të skuadrës, Rudy Gobert dhe arsyeja është pikërisht Koronavirusi. Gobert ishte i pari lojtar basketbolli që u konfirmua me virusin vdekjeprurës, ndërsa pas tij u njoftua se edhe Mitchell ishte pozitiv në testet e kryera.
Ky i fundit pretendon se është infektuar prej shokut të tij, megjithëse ekipi i Utah Jazz po përpiqet ta bëjë të arsyetojë se nuk mund të thuhet me siguri cili infektoi kë. Por sjellja e Gobert linte për të dëshiruar dhe këtë e tregoi edhe në konferencën për shtyp, ku përpara se të dilnin rastet e para në basketboll, lojtari i Utah preku të gjithë mikrofonët si një formë shakaje. Madje mësohet se të njëjtën moskokëçarje e ka bërë edhe me shokët e tjerë të ekipit të cilët i ka prekur duke u munduar të bëjë shaka me ta. Megjithatë disa ditë më vonë rezultoi të ishte mbartës i COVID-19 dhe kjo padyshim që solli irritim, pasi Gobert kishte vënë në rrezik të tjerët për shkak të sjelljes së tij aspak të hijshme.
Basketbollisti ka kërkuar falje publike për gjestet e tij, por me sa duket Mitchell nuk ka ndërmend ta pranojë ndjesën e tij. Ky i fundit vazhdon të ketë hatërmbetje dhe sipas asaj që flitet në mediat amerikane me shumë gjasa marrëdhënia e tyre do të jetë e pariparueshme./Halit Delibashi-Sport Ekspres/