“Ronaldo? Kurrë mos thuaj kurrë”, shqiptari i parë në krye të klubit historik në Zvicër shpalos synimet

Klubi më i madh në Zvicër, Grasshopper, tashmë do të ketë drejtor të ri, i cili është shqiptar. Shqiprim Berisha ka marrë këtë post pas ardhes në krye të pronarit të ri, Jenny Wang, për të nisur kështu projektin e ri të rikthimit të skuadrës në titullin kampion. Momentalisht gjenden në kategorinë e dytë, duke humbur nga shkëlqimi i dikurshëm, por Berisha e ka të qartë në mendjen e tij se  çfarë dëshiron të arrijë me klubin zvicerian, që mbart me vete një histori të lavdishme në kampionatin helvet.

Shqiprim Berisha ka dhënë një intervistë për median e njohur zviceriae “Blick”, ku rrëfyer edhe synimet e tij në gjatë kohës që do të jetë në krye të kësaj detyre të re. Gjithashtu 38-vjeçari ka treguar mënyrën se si arriti të zinte vendin e drejtorit menaxhues në klubin e Grasshopper. Berisha zbulon se ka marrëdhënie mjaft të mira me agjentin e Cristiano Ronaldos, Jorge Mendes, i cili e ka prezantuar edhe me pronarët e rinj kinezë. Ndërkohë pyetjes nëse do të mund të shohim yllin portugez të mbyllë karrierën e tij me fanellën e skuadrës nga Zyrihu, Berisha i përgjigjet “kurrë mos thuaj kurrë”, megjithëse e sheh shumë të vështirë të ndodhë.

“Së bashku me Samuel Haas, i cili tani është sekretari i ri i përgjithshëm në GC, ne kemi mbajtur kontakte të mira me investitorët për një kohë të gjatë. Ne bëmë kontakte midis Grasshopper dhe Jenny Wang. Në fund pronarët e rinj të klubit më ofruan këtë punë dhe unë pranova. Më bën krenar që kam qenë i dobishëm për të ndihmuar këtë klub për të parë të ardhmen e ndritshme me pronarin e ri. Dhe kjo më bën krenar të punoj për Grasshopper. Por sigurisht që jam i vetëdijshëm që kemi shumë për të bërë.

Ronaldo? Nuk do ta quaja këtë mundësi shumë të madhe. Por siç thotë dhe shprehja: “kurrë mos thuaj kurrë”. Por sigurisht do të ishte mirë sikur Ronaldo të vinte për vizitë.

Ne duam të ndërtojmë bazuar në kohërat e vjetra, të cilat janë të suksesshme. Viti 2003 për shembull, kur Grasshopper ishte kampioni zviceran për herë të fundit. Të gjithë tifozët e skuadrës në të gjithë Zvicrën, dhe ka shumë prej tyre, duhet të brohorasin përsëri, të jenë krenarë për klubin e tyre dhe të vijnë në stadium. Në parim, natyrisht është bukur që klubi tani është i sigurt financiarisht për vitet e ardhshme. Siç e dimë të gjithë, ky ishte problemi më i madh i klubit. Për sa i përket sportit, natyrisht, gjërat duhet të ngrihen përsëri. Ne duam të synojmë lart dhe përfundimisht të bëhemi përsëri kampionë. Mund ta them këtë”, është shprehur Berisha./Halit Delibashi-Sport Ekspres/