Nga Klaudio Ndreca
Shqipëria është duke e përjetuar mirë menaxhimin e infektimeve me Koronavirus, ndërsa në krahasim me vendet e tjera, fatmirësisht numrat janë më të ulët. Ndërkohë në vendin tonë janë duke u përgatitur masat lehtësuese që do të nisin nga e hëna e ardhshme, por duke u kombinuar me dënime shumë më të ashpra për shkelësit.
Qytetarë të ndryshëm zgjedhin që të bëjnë ankesat e tyre në faqen e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Flitet për një shumëllojshmëri dhe njëra prej tyre ka qenë në lidhje me futbollin. Në pyetjen e shtruar kërkohet një datë për rifillimin e Superiores, pasi tifozi në fjalë ishte bardheblu dhe nuk mund të qendronte pa e parë Tiranën si kampione.
Përgjigja e marrë nga kryeministri Rama ishte jo ajo e dëshiruara në fakt: “Eh, shiko ndeshjet në Youtube, çfarë të thotë vëllai”. Duke bërë një llogaritje të situatës, jemi ende larg rinisjes së stërvitjes për kampionatin shqiptar. Situata do t’i kthehet normalitetit dhe lojtarët do të dalin për t’u përgatitur si më parë, në kohën që do të lejohen edhe grumbullimet në numra më të lartë nga ana e shtetit. Për momentin nuk ka asgjë të tillë, pasi lehtësimi është vetëm për fashën e orareve të biznesit. Deri atëherë, Rama na ofron mundësinë e Youtube për të parë ndeshjet e Superiores. /Sport Ekspres/